Tre prokurorët e shkarkuar, letër Rusmalit e Nishanit

Jul 18, 2012 | 14:49
Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama

Tre prokurorë të shkarkuar, të cilët kanë fituar gjyqet për rikthimin në punë por nuk emërohen nga Ina Rama, i kërkojnë Komisionit parlamentar të Ligjeve të fillojë procedurat e hetimit të këtij rasti duke thirrur për sqarime prokuroren e Përgjithshme. Në datën 12 korrik 2012, tre prokurorët Bardhyl Shehu, Tom Dedaj dhe Rita Gjati i janë drejtuar Komisionit parlamentar të Ligjeve me një ankesë në lidhje me moszbatimin e vendimeve të formës së prerë të dhëna nga gjykatat për kthimin e tyre në punë, pas “shkarkimit të padrejtë”, siç është konstatuar nga togat e zeza. Ankesa i është drejtuar zotit Ilir Rusmali, kryetar i Komisionit të Ligjeve dhe, për dijeni, edhe presidentit të zgjedhur të Republikës, Bujar Nishani, kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli dhe ambasadorit amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu.
Ankesa
Në letrën drejtuar Komisionit parlamentar të Ligjeve, tre prokurorët theksojnë se gjatë viteve 2008-2009 prokurorja e Përgjithshme ka propozuar dhe mbi këtë bazë janë shkarkuar nga detyra me dekret të Presidentit të Republikës 3 prokurorë. Me dekretin nr. 6228, datë 2.9.2009, është shkarkuar nga detyra e prokurorit Bardhyl Shehu, prokuror në Prokurorinë e Rrethit Laç, me dekretin nr. 6227, datë 2.9.2009, është shkarkuar nga detyra e prokurorit Tom Dedaj, prokuror ne Prokurorinë e Rrethit Laç dhe me dekretin nr. 5824, datë 28.7.2008, është shkarkuar nga detyra e prokurorit Rita Gjati, prokuror në Prokurorinë e Rrethit Sarandë. Tre prokurorët theksojnë se paditën në Gjykatë shkarkimin nga detyra dhe nga shqyrtimi gjyqësor i 3 kërkesë-padive ka rezultuar se shkarkimi ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, e për këtë arsye, është vendosur shfuqizimi i tri dekreteve të Presidentit të Republikës për shkarkim dhe kthimi në detyrën e prokurorit pranë prokurorive përkatëse, si dhe dhënia e pagës që nga momenti i shkarkimit. Për të tria rastet, prokurori Bardhyl Shehu, prokurori Tom Dedaj dhe prokurorja Rita Gjati kanë fituar të drejtën e kthimit në punë me procese gjyqësore që kanë nisur në Shkallën e Parë dhe kanë vazhduar deri në Gjykatën Kushtetuese duke u lënë në fuqi kthimi i tyre në detyrat e mëparshme. Pas fitimit të së drejtës për kthimin në detyrë, ata i janë drejtuar prokurores së Përgjithshme dhe Presidentit të Republikës, për t’u kthyer në detyrë, por sipas letrës, asnjëri pre tyre (prokurori i Përgjithshëm dhe Presidenti i Republikës), nuk pranon të zbatojë vendimet e gjykatës, madje Presidenti i Republikës ndonëse ne total i janë dërguar 16 ankesa, nuk ka kthyer asnjë përgjigje. Sipas letrës së tre prokurorëve, prokurorja e Përgjithshme dhe Presidenti i Republikës mbajnë të njëjtin qëndrim, duke refuzuar zbatimin e vendimeve të gjykatës, edhe pasi janë shprehur Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese me vendimet përkatëse në favor të kthimit tonë në detyrë.

Argumenti
Ankesa e tre prokurorëve thekson se në seancat gjyqësore të zhvilluara në Gjykatën Kushtetuese, mbi bazën e kërkesës së prokurorëve të shkarkuar, prokurorja e Përgjithshme ka paraqitur justifikimin se “është në pamundësi të ekzekutimit të vendimit të gjykatës, për kthimin e prokurorëve në detyrë, për shkak se organika është e plotësuar”. Sipas letrës, pretendimi i Prokurorisë së Përgjithshme se është në pamundësi të ekzekutimit të vendimit, është i PAVËRTETE, pasi, nga momenti i dhënies së vendimit të formës së prerë të gjykatës, prokurorja e Përgjithshme ka propozuar dhe Presidenti i Republikës ka emëruar në vazhdimësi dhe gjithsej 22 prokurorë.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura