3 prej shqiptarëve të arrestuar kanë kryer vrasjen

May 2, 2012 | 17:12

SHKUP- Agjencia maqedonase e lajmeve MINA njofton se tre prej shqiptarëve të arrestuar nga policia maqedonase kanë kryer vrasjen e pesëfishtë. Policia ka ngritur padi penale ndaj pesë shqiptarëve të dyshuar për vrasjen me akuzën për kryerjen e akteve terroriste, tha të mërkurën ministrja e Brendshme, Gordana Jankullosvska.

Dy vëllezër të moshës 32 dhe 33  vjeç dhe një person tjetër 27 vjeç, janë vrasësit, ndërsa dy të tjerët kanë ndihmuar ekzekutorët në kryerjen e krimit.

Një raport special për 10 persona është dorëzuar në Zyrën e Prokurorisë Publike në Shkup. Të dyshuarit e arrestuar janë ende duke u intervistuar nga hetuesit dhe provat materiale janë duke u analizuar.

Ata u arrestuan gjatë aksionit të koduar “Monstrum”, i cili u shtri në disa lagje të Shkupit.

Njëzet shqiptarë, shkruan më tej agjencia e lajmeve MINA  janë arrestuar, të gjithë ndjekës të islamit radikal, shtetas kryesisht maqedonas.

Gjatë kontrolleve në shtëpitë e të arrestuarve ministria e Brendshme tha se janë gjetur armë automatike, katër pistoleta, një bombë, plumba për pushkë, gjashtë korniza për pushkë automatike, dhjetë uniforma bashkë me maska, një automjete, rreth 10.000 euro, kompjutera dhe telefona celularë.

© Panorama.al

Te lidhura