Tre deputetëve të PS u hiqet imuniteti, dalin vota kundër

Feb 3, 2012 | 11:08

Balla vendos një çadër në tavolinën e Kryeministrit Berisha

Votimi i fshehtë, 19 vota kundër për Besnik Barajn

Parlamenti ka miratuar dje heqjen e imunitetit të deputetëve të Partisë Socialiste, Tom Doshit, Besnik Barajt dhe Taulant Ballës. Me heqjen e imunitetit, Prokurorisë së Përgjithshme i hapet drita jeshile për të filluar me procedimin penal ndaj deputetëve dhe zbardhjen e tabulateve telefonike të kryera gjatë demonstratës së 21 janarit. Deputetët e PS-së kanë çelur punimet e Parlamentit, teksa para kolegëve të tyre kanë shpjeguar në versionet e tyre ngjarjen e 21 janarit. Me vendim grupi, deputetët e Partisë Socialiste kanë votuar pro heqjes së imunitetit të kolegëve të tyre. Gjatë fjalës në Kuvend, deputeti Taulant Balla ka vendosur në tavolinën e Kryeministrit Berisha në mënyrë simbolike një çadër, duke e quajtur dorëzimin e armës së përdorur më 21 janar. Relatori Viktor Gumi paraqiti raportin përfundimtar të Këshillit të Imuniteteve, për t’i hapur rrugë hetimit penal të Prokurorisë. “Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet, njëzëri u shpreh pro, si dhe i propozon seancës plenare miratimin e kërkesës së prokurores së Përgjithshme, për dhënien e autorizimit për ndjekjen penale të deputetëve Tom Doshi, Besnik Baraj dhe Taulant Balla”, pohoi Gumi.
Votimi
Dhjetë deputet të dy forcave politike kanë munguar dje në Kuvend gjatë procesit të votimit. Nga demokratët ka munguar Kryeministri Berisha, ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu dhe deputeti Dashamir Tahiri. Opozita nga ana tjetër ka shënuar rekord mungesash, pasi në radhët e saj nuk votuan plot shtatë deputetë. Nga opozita mungoi Ben Blushi, Andis Harasani, Namik Dokle, Astrit Beci, Arben Malaj, Armando Subashi dhe  Paulina Hoxha. Ndërkaq, maxhoranca dhe opozita kanë bashkuar votat për të lejuar hetimin e deputetit Taulant Balla, i cili mori 118 vota pro dhe 8 vota kundër. Për heqjen e imunitetit të deputetit Tom Doshi, ligjvënësit e të dyja kampeve votuan në total, 116 pro dhe 9 kundër. Më shumë vota kundër për kërkesën e Prokurorisë ka marrë deputeti Besnik Baraj, për të cilin 19 kolegë gjatë votimit të fshehtë nuk ishin dakord për heqjen e imunitetit, ndërsa 107 të tjerë votuan pro.

Votimi
Votimi në Parlament për imunitetin e Ballës, Barajt dhe Doshit

Prezenca, 129 deputetë në sallë

Votimi i fshehtë për Taulant Ballën
118 vota pro
8 kundër
2 abstenim

Votimi i fshehtë për Tom Doshin
116 pro
9 kundër
4 abstenim

Votimi i fshehtë për Besnik Barajn
107 pro
19 kundër
3 abstenim
1 nuk votoi

Nuk morën pjesë në votim Maxhoranca
Sali Berisha
Fatmir Mediu
Dashamir Tahiri

Opozita
Ben Blushi
Andis Harasani
Namik Dokle
Astrit Beci
Arben Malaj
Armando Subashi
Paulina Hoxha

Tom Doshi: Të hjekim qafe të paburrin e pabesë, Sali Berisha
Deputeti i Partisë Socialiste, Tom Doshi, deklaroi dje në Parlament se ishte ndër organizatorët e protestës së 21 janarit, por në asnjë rast nuk ka inkurajuar dhunën. Ashtu si në dëshminë e dhënë në Prokurori, deputeti i Shkodrës ka sqaruar pozitën lidhur me ngjarjen. Ai ka replikuar në distancë edhe me Kryeministrin. “Po të mos i kishte sulmu policia me gaz, nuk do kishin gjujtë as me gurë. Sali Berisha më ka akuzu se desha me u ba Ministër i Mrendshëm mas 21 janarit. I tham Sali Berishës se as kam dashtë, e as nuk du me u ba najherë ministër. Arsyeja e futjes teme në politike dhe e marrjes së 2 mandateve deputet nuk ka te bajë me ambicien me u ba ministër”, pohoi Doshi. Më tej, deputeti theksoi se heqja e imunitetit nuk përbënte aspak problem për të, por ai kërkoi që njëkohësisht drejtësia të kërkonte dhe imunitetin e Kryeministrit dhe të ish-ministrit Basha. “Unë kam kenë në Prokurori për 21 janarin edhe kur kisha imunitet. Pa imunitet ndihem ma i qetë s’e nuk thotë dot kush që Tom Doshi asht deputet pranej nuk hetohet. Doli Mesila Doda më 21 janar tuj thanë që bashke me nipin tem paskam vrarë protestuesit. Biznesi jem ka kenë për nji kohë të gjatë me ilaçet, por ilaçi ma i mirë në këtë botë asht drejtësia. E unë shpresoj që ky popull ta pijë nji ditë këtë ilaç e të shërohet nga padrejtësia masi të hjekin qafe të paburrin e pabesë, Sali Berisha!”, tha Doshi.

Sekretari i Grupit të PS
Balla: Berisha, eja tani në Prokurori, më vonë mosha kalon

Deputeti i PS-së, Taulant Balla, ka mohuar dje akuzat se ka paguar protestuesit në këmbim të ushtrimit të dhunës në demonstratën e 21 janarit. Balla, gjatë fjalës së tij në Parlament kërkoi nga kolegët që të votojnë pro heqjes së imunitetit të tij. “Jam shumë i ri për të bërë llogari që të mbrohem me imunitet ndaj një krimi që nuk e kam kryer. Jam krenar për çfarë kam bërë më 21 janar dhe ndjehem keq që nuk shpëtova dot nga plumbat e tu ata katër qytetarë shqiptarë. Ne nuk kemi çadra-pistoletë për të fshehur, nuk kemi tyta pistoletash që t’i ndërrojmë me shoferët, nuk kemi servera për të fshirë dhe as grushte për të nxirë sytë. Nuk kemi gjak në duar dhe as makthe në shpirt”, theksoi Balla. Në të njëjtën kohë, ai ftoi Kryeministrin Berisha që të bëhej pjesë e hetimit të 21 janarit, duke shkuar vullnetarisht për të dëshmuar në Prokurori. “Kam një këshillë për ty Sali! Merr kurajon dorëzo edhe ti imunitetin tënd dhe eja me mua para Prokurorisë. Je ende në moshë për të përballuar disa seanca pyetjesh. Më vonë, do ta kesh të vështirë, mosha kalon. Sepse e ke të pamundur të shpëtosh pa kaluar disa seanca pyetjesh kur të vijë ora e së vërtetës. Të siguroj që Shqipëria është më e sigurt dhe më e qetë nëse ti dhe kapteri yt Lulëzim Basha i dorëzoheni Drejtësisë. Edhe ti vetë do të jesh më i qetë. Nuk të uroj fatin e tiranëve të kësaj bote, i cili është gjithmonë i njëjti”, pohoi deputeti PS-së.

Deputeti i PS pranon që t’i hiqet imuniteti
Baraj: Policia qëlloi tinëz edhe mbi deputetët më 21 janar
Deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Baraj, deklaroi dje në Parlament se ndaj qytetarëve dhe deputetëve është ushtruar dhunë fizike nga policia më 21 janar. Deputeti Baraj theksoi se demonstrata nuk kishte për qëllim dhunën, por ajo u provokua dhe u kanalizua nga qeveria në atë mënyrë. “Po komunikimet telefonike midis ne deputetëve e strukturave të PS-së, por edhe me strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, siç kemi bërë përherë, kush i shkëputi? Dikush donte ta linte atë demonstrim tërësisht paqësor, në mëshirë të fatit tragjik, apo të një skenari të parapërgatitur. Policia nuk kurseu as deputetët, gjoja me imunitet dhe, për turpin e tyre, siç e dëshmuan vetë pamjet filmike, qëllonin tinëz. Sepse në fakt, atë pasdite, siç tregojnë qartë pamjet filmike, jo vetëm unë, por tërë deputetët, nuk kanë reshtur së qetësuari popullin dhe vetë policinë. Jam i bindur se këtë gjë do mund ta dëshmojnë dhe krerët e Policisë së Tiranës, me të cilët Fatmir Xhafaj, Eduard Shalsi, Arben Ahmetaj dhe unë kemi komunikuar verbalisht, kur muzgu kishte rënë”, theksoi Baraj.  Ai theksoi më tej se protesta do të zhvillohen në çdo kohë, por zbardhja e 21 janarit duhet bërë me çdo kusht. “Për këto, populli opozitar ka protestuar e do protestojë, sepse kërkon mbi gjithçka të vendoset drejtësi. Për këtë arsye, me vullnet e vetëdije të plotë, jam i gatshëm të vihem në dispozicion të Prokurorisë”, theksoi Baraj.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura