“Kuvendi pa libra është si qyteti pa pasuri, kështjella pa ushtarë, livadhi pa lule, pema pa gjethe” – (Eco)
Umberto Eco, ky gjigant i botës akademike italiane, me kohë do të merrte dimensionet e globit, jo vetëm si studiues e publicist, por edhe si shkrimtar dhe eseist, e veçanërisht si romancier i suksesshëm, që na sjell të gjallë, në kohërat e sotme edhe botën misterioze mesjetare. Por, para se të përqendrohemi te vlerat e padiskutueshme të krijimtarisë së këtij shkrimtari të madh italian, do të ndalemi, me pak fjalë, tek momentet kryesore të jetës dhe veprimtarisë së tij krijuese: Umberto Eco lindi më 5 janar të vitit 1932 në Alessandria të Italisë së Veriut.
Arsimin bazë e mori pranë Urdhrit Salezion. Më pas, edhe pse i ati i sugjeroi të vazhdonte studimet për jurisprudencë, ai vendosi të vazhdonte Universitetin e Torinos për filozofi dhe letërsi mesjetare. Në vitin 1954, pasi mbaroi studimet, ai fiton diplomën për letërsi. Për shkak të krizës së besimit, që e pati mbërthyer në ato kohë të turbullta, Umberto largohet nga Kisha Katolike, për të punuar redaktor kulture në Radio-Televizionin Italian (RAI) dhe profesor në Universitetin e Torinos.
Librin e tij të parë për estetikën, ai e publikoi në vitin 1956. Pasi kreu shërbimin ushtarak, Eco u largua nga RAI për të punuar redaktor në shtëpinë botuese “Bompioni”, ku vazhdoi të punonte deri në vitin 1975. Përveç një serie librash studimore, me përmbajtje historike, filozofike, estetike dhe në fushën e kritikës së artit dhe të letërsisë, ai botoi edhe 6 romane. Krijimtaria e Ecos është përkthyer gati në të gjitha gjuhët e botës. Disa nga veprat e tij më të mira si: “Gjashtë shëtitje në pyjet e tregimtarisë”, “Si shkruhet një diploma”, “Të shkruash të njëjtën gjë”, kanë vite që flasin edhe në gjuhën shqipe. Falë shqipërimit origjinal të përkthyeses së mirënjohur Donika Omari, ka vite që lexuesi shqiptar ka në dorë edhe kryeveprën e prozatorit të madh Umberto Eco, romanin “Emri i trëndafilit”. Eco mbetet specialisti më i njohur në botë i semiotikës, historisë, filozofisë dhe estetikës. Me cilësinë e librave të tij shkencorë dhe letrarë, ai është nderuar me çmimin e lartë “Strega” dhe me disa diploma “Honoris causa”, akorduar nga një seri universitetesh të Europës dhe të Amerikës. Ai vdiq në vitin 2016, në moshën 84-vjeçare, duke lënë pas botën e pasur të librave të tij.
“EMRI I TRËNDAFILIT”
Kryevepra që e bëri Umberto Econ akoma më të njohur në botën e letrave është romani “Emri i trëndafilit”, botuar në vitin 1983. Është kjo arsyeja që këtë roman, sa historiko-filozofik, aq dhe artistiko-policor, na motivoi ta bënim objektin kryesor të këtyre shënimeve. Autori i këtij romani, për të na i sjellë të gjallë botën misterioze të fillimit të shek. XIV dhe degradimin moral të klerit, ndërthur bukur historinë me filozofinë dhe artin e debatit me atë të dialogut. Për kompozimin e këtij romani të pazakontë, ai përdor edhe copëza nga historia mesjetare. Për ta nisur këtë roman, ai përdor këtë fragment historik: “Fillimi i shk. XIV ishte një periudhë shthurjeje e degradimi moral në radhët e klerit, e cila pati rrjedhoja tronditëse te njerëzit e besimit të kritshter. Humbja e autoritetit kishtar, ngjalli herezi e sekte të panumërta. Ishin kohërat kur çeta heretikësh dyndeshin përmes mbretërive europiane për t’i shërbyer lojës së pushtetarëve.
Aty nga viti 1327, Abati kishte thirrur Uiliamin e Baskervilit për të hetuar se kush i kishte dhënë shtymën njërit prej murgjve që kishte thyer qafën rrëzë mureve të abacisë. Ngjarjet e romanit, që i ngjajnë një kalendari të frikshëm vrasjesh, zgjatin 7 ditë e 7 net. Janë ditë e net të frikshme. Libri mban brenda jo vetëm historinë e gjallë të një epoke, që po i vinte fundi, por edhe filozofinë e njerëzve të saj dhe një shumëllojshmëri bindjesh, besimesh dhe karakteresh të çuditshme. Abacia ku ndodhin ngjarje misterioze është një ngrehinë tipike mesjetare e përshkruar me hollësi. Ajo shfaqet si alegori e një shteti të frikshëm totalitar, i cili lustron realitetin e hidhur, për të fshehur të vërtetën. Si pasojë, ai sjell mbylljen dhe izolimin dhe pjell absurditetin, mungesën e mëshirës dhe nënvlerësimin e shtypjen e të aftëve e të kundërshtarëve. Uiliami, edhe pse përfaqëson figurat e nderuara të krishterimit, shpesh dyshon jo vetëm tek e vërteta njerëzore, por dhe tek ajo e Zotit.
Në prologun e romanit, Eco tregon luftën e ashpër mes papës dhe perandorit. Roma në ato kohë po bëhej pre e lakmive dhe mllefeve të idhujve të vendit, të cilët po e kthenin atë në një arenë luftërash. Klerikët udhëhiqnin grupe plaçkitësish me armë në dorë. Në vitin 1314, princat gjermanë zgjodhën në krye të perandorisë Ludvigun e Bavarisë. Por, po në këtë pozicion austriakët patën zgjedhur të preferuarin e tyre, Fridrikun, të cilët ishin në luftë të ashpër kundër njeri-tjetrit. Për shkak të një lufte të ashpër të të gjithëve kundër të gjithëve. Shkenca po zbehej, rinia nuk punonte, të verbrit drejtoheshin nga disa të verbër të tjerë. Mua – tregon Adsoni (zëdhënësi i narratorit), më dërguan pas françenskanit Uiliam si shkrues dhe ideator i tij. Tek Uiliami pashë disa tipare të veçanta. Ai ishte, jo vetëm i pashëm, por edhe i ditur. Në shpirtin e tij, shihja gaforren, e cila e bënte të tërhiqej, sa herë e ndjente nevojën. Pas këtij rrëfimi të lirë, nis kalendari i ethshëm i vrasjeve misterioze të abacisë. Edhe vetë Abati e pranon se njerëzia po përjetonte kohë të errëta. Murgjit e kohës ishin analfabet. Prandaj – thekson ai – duhet të shpëtojmë bibliotekat që vuajnë nga përdorimi i keq dhe duart e gjata.
NË MJEDISET E ABACISË
Në mjediset e abacisë ku shoqëronte mësuesin e tij dhe hetuesin e vrasjeve, Uiliamin, Adsoni pushtohet nga disa vegime të frikshme. Papritur sheh 4 shtazë të lemerishme, që nuk pushonin së kënduari. Nga ana tjetër, i shfaqet një shqiponjë me pendë si parzmore. Ndërsa përreth tyre rendnin gjarpërinj, bolla, hiena, zhapinj dhe breshka. Më tej vazhdon Adsoni, pashë edhe një qenie të çuditshme me 7 llamba ari dhe një lubi që mbante në gojë një shpatë dytehëshe. Natën e dytë, pas shumë stërmundimesh, Uiliami dhe Adsoni mundën të hynin brenda abacisë. Si papritur te porta përballen me Abatin, i cili i vështroi me ligësi.
Misteri i vrasjeve sa vinte e bëhej më i frikshëm. Bota ruhej nga librat. R.Bekon thoshte se të fshehtat e shkencës nuk duhet t’i dinë të gjithë njerëzit, sepse disa prej tyre mund t’i përdorin ato në shërbim të pushtetit tyre. Po, kush ishin armiqtë e njerëzve të thjeshtë!? Sigurisht, Abati dhe Papa, të cilët i hidhnin ata në luftë me njëri-tjetrin. Pyetja e ditës ishte, kush e kishte vrarë Adelmin. Ishin, pikërisht, ata që e patën vrarë, të cilët nga njëra anë përbetoheshin për gjetjen e vrasësit, nga ana tjetër varrosnin gjurmët. Por, pa u zbuluar vrasësi i Adelmit, një tjetër i vrarë u gjet në mjediset e abacisë. Venanci kishte vdekur si prej një magjie. Bençi kishte zbuluar se, Abacia kishte libra që nuk u jepeshin murgjve për t’i lexuar. Abati i quante të gjithë fretërit heretikë. Ai e di mirë se çelësi i ngjarjeve të kohës ishte Abacia. Ai kishte kërkuar me forcë, që abacia të mos hetohej. Atje nuk mund të hyje pa lejen e tij. Megjithatë, Uiliami dhe Adsoni, me shumë vështirësi, mundën të hynin brenda abacisë. Atje tronditen nga disa vegime të tjera të çuditshme. Brenda abacisë iu duk sikur bota ecte drejt errësirës.
Dukej sikur të gjithë ruheshin nga drita e librit, e cila po shndërrohej në stuhi e çmendur gjaku. Salvatori i tregon Adsonit, se kishte parë një tregtar, që shiste mish të pjekur njeriu. Edhe vetë ai, për disa kohë ishte endur duke lypur e duke vjedhur pas bandave me murgj, sharlatanë, mashtrues, priftërinj pa atdhe, kumarxhinj, invalidë, të sëmurë, batakçinj…(171) Rrjedhës së Danubit kishte parë leckamanë, djaj, kokëqenë, birbo, heretikë që kërkonin gjak, françenskanë, që kishin dalë malit për luftë kundër armiqve të botës. Vrulli i këtyre njerëzve të çorientuar kishin tronditur edhe mbretin. Orën e nëntë të ditës së tretë, Uiliami i tregon Adsonit për lumin e madh të heretikëve, për shenjat që kishte lënë Venanci, për djegiet në furrën e druve. Ndërsa, në mbremësoren e kësaj dite shpaloset mendimi i hatashëm i Uiliamit për zbulimin e vrasjeve misterioze brenda labirinteve të abacisë. Mëhilli besonte edhe te kryqëzimi i Krishtit. Si një magji e rrallë përshkruhet në roman fragmenti që tregon dashurinë e pafajshme të Adsonit me një vajzë të bukur. Pas magjisë së kësaj dashurie, zbulohet një tjetër kufomë e vrarë. Hetuesit kishin zbuluar, se, në atë abaci vrastare kishte edhe libra për fallin, magjinë e zezë, recetat vrastare. Ditën e katërt ata kishin zbuluar se, vrasjet ndodhnin natën, dhe se ajo bibliotekë e çuditshme mbante brenda materiale, që nuk ndihmonin për zbulimin e vrasjeve, por për fshehjen e të vërtetës.
Në mbremësoren e ditës së pestë, Uiliami largohet nga abacia, sepse Gjoni e donte në ferr. Në labirintet e abacisë ka ndodhur dhe një vrasje tjetër, të cilin e quajnë kurbanin e djallit. Kjo bibliotekë, që ishte ngritur për ruajtjen e dijeve, tashmë ishte kthyer në një institucion për fshehjen e dijeve dhe groposjen e të vërtetës. Kur u vra frati Severin, Abati, që hiqej si i tronditur, tha se edhe vetë s’po e kuptonte ç’po ndodhte në abacinë e tyre. Prandaj kërkoi që, një nga murgjit t’u fliste njerëzve, se ç’duhet të bënin për të dalë nga kjo katastrofë vrastare. Kur asnjë nga murgjit nuk dëshironte të fliste për këtë katastrofë vrastare, këtë detyrë ia ngarkuan murgut më të moshuar, Jorgesë, i cili mes të tjerash tha: “Shumë të dashur vëllezër dhe miqtë e mi. Të gjitha vdekjet e tmerrshme, që kanë ndodhur në abacinë tonë, asnjëra nuk është vdekje natyrale. Për këto vdekje të pafajshme, askush nuk mund të shfajësohet. Brenda këtyre mureve ka gjarpëruar krimi dhe krenaria vrastare. Gjithçka që ka ndodhur, ka synuar të ndëshkojë Zotin e vërtetë. Po kush është simbol i kësaj krenarie vrastare?! Ju e dini, por nuk doni ta thoni, se kështu zbuloni edhe emrin tuaj. Ai është:…
ANTI-KRISHTI
Anti-Krishti është kudo: në çetat e vjedhësve, buzë zjarreve. Është thënë me kohë, se njerëz-kafshë do të pillnin kuçedra, se nuset do të lindnin foshnje që dëshirojnë të vriten. Do të kishte priftërinj të etur pas qejfeve, njerëz që vdesin për lavdi (359). AntiKrishti do të shkelte me këmbë dhe do të digjte çdo gjë mbi dhe. Do të mbretëronte arbitrariteti, mjegullnaja dhe zija e përgjithshme. Ditën e parë do të binte shi gjaku. Ditën e dytë zjarri, ditën e tretë do të binin humnerat, që do të rrafshonin gjithçka. Ditën e shtatë do të mbinte Anti-Krishti.
Ndërsa në fund, do të bëhej gjyqi i të mirëve dhe ngjitja e tyre në qiellin e amshuar. Por mëkatarëve nuk u takon agimi.(367). Malakia, kryesoja e abacisë, pasmesnatën e ditës së gjashtë, kishte marrë ngjyrën e vdekjes. Malakia ishte bërë preu i shtatë i saj. Ndërsa Adsoni ishte bërë pre i vegimeve dhe ëndrrave të frikshme. I shfaqet Abati, sikur i kërkonte llogari për zbulimin e vrasjeve. Konkluzioni i tyre ishte se vrasjet ndodhnin natën dhe shkaku i vrasjeve janë bërë librat e ndaluara. Për këtë arsye, ata i thirri Abati për mbylljen e hetimeve dhe largimin nga puna. Kjo, sepse u tmerrua nga frika, se së shpejti do të zbulohej si autori kryesor i vrasjeve në abaci. Natën e ditës së shtatë bëhen zbulime të hatashme. Në këtë fragment shfaqet një plak, që gëlltiste të gjallë librin e Aristotelit. Prej vajit të derdhur shpërtheu një zjarr i tmerrshëm. E gjithë abacia u përflak. Në këto çaste – tregon Adsoni – çdo gjë kishte marrë fund. Kjo ishte biblioteka më e madhe e krishterimit.
Në atë zjarr zhuritës, tregon narratori, pashë përsëri fytyrën e shëmtuar të Anti-Krishtit. Jorgeja i trembej librit të Aristotelit për të vetmen arsye se ai libër të mësonte se e vetmja e vërtetë është ajo që të mëson si të çlirohesh prej pasionit të sëmurë për të gjetur të vërtetën. Pas shumë persiateve të tmerrshme, zëdhënësi i autorit të romanit, Adsoni, arrin në konkluzionin se, “pa kriterin e së vërtetës, nuk mund të ketë dije të përçueshme”(437). Pas zjarrit apokaliptik që gëlltiti çdo gjë që gjeti përpara, përpjekjet e dëshpëruara të njerëzve nuk vlenin asgjë. Adsoni dhe Uiliami largohen të dëshpëruar. Gjonin e shpallën heretik. Ludvigun e dënuan me vdekje. Ndërsa perandori kishte marrë si shpërblim urrejtjen popullore. Pas kishës dhe abacisë kishte mbetur vetëm hiri dhe ndonjë copë pergameni me fraza pa kuptim. I vetmi ngushëllim për njerëzit kishte mbetur ofshama: “Oh sa mirë do të ishte të kuvendonim vetëm me Perëndinë”!. Por, edhe Perëndia, citon narratori në mbyllje të romanit, nuk ishte asgjë e plotë në këtë botë.
ROMANI DHE LEXUESIT
Në fillim romanin “Emri i trëndafilit” e titullova “Abacia e krimit”, por e hoqa, sepse mendova se ky emër do ta spostonte vëmendjen e lexuesit vetëm tek intrigat policore. Më parë kisha ëndërruar ta titulloja “Adsoni”, sepse në të vërtetë, ai është zëdhënësi i im në këtë roman. Por në fund triumfoi ideja për ta titulluar “Emri i trëndafilit”. Edhe pse ky emër më erdhi rastësisht, m’u duk më i arsyeshëm. Në fund të fundit, trëndafili është simbol i erës së këndshme, që mbyt erën e mykut dhe të djersës së një sistemi si atij mesjetar, që po i vinte fundi. “Me këtë titull – vazhdon Eco – synoja t’i ngatërroja idetë dhe jo t’i vija në rresht si ushtarët” (450). Shumë lexues më kanë kërkuar të interpretoj romanin tim, por kjo, u kam thënë atyre nuk është puna ime, është puna juaj. Detyra ime është t’u tregoj vetëm arsyen pse e kam shkruar. Kur nisa të shkruaja për mesjetën, vendosa të rrëfeja në mesjetë, me gojën e një kronisti të asaj kohe”. Në këtë roman, ai kishte menduar të paraqiste një abaci benediktiane në rrokullisje e sipër. Të gjitha dialogët i referohen Adsonit.
Ndaj, për autorin, Adsoni është aktori më i rëndësishëm i ngjarjeve të romanit. Stili i të folurit të Adsonit është të folurit tipik të kronistit mesjetar, për gjërat që i dinë të gjithë. Në këtë roman, autori i drejtohet një lexuesi të aftë për të kuptuar. Pasi e bën lexuesin të dridhet, hyn më lehtë brenda filozofisë metafizike mesjetare të romanit policer. Pyetja misterioze, që qëndron në themelet e brendisë së këtij romani është: “Kush është vrasësi!? Trilli i zvarritjes dhe i fshehjes së vrasjeve misterioze brenda labirinteve të abacisë, rritin, jo vetëm ankthin, por edhe kërshërinë e lexuesit. Përmes këtij stili – thekson Eco, – kam pasur si qëllim të argëtoj lexuesin. Krijimtaria e Umberto Ecos është e mbushur me sentenca social-filozofike, shprehje të bukura dhe këshilla si:-Kuvendi pa libra është si qyteti pa pasuri, kështjella pa ushtri, kuzhina pa enë. Asgjë tjetër nuk i jep më shumë kurajë frikacakut, sesa frika e të tjerëve. Njohja me të shkuarën e qytetërimit, është projekti themelor i të ardhmes./Gazeta Panorama
© Panorama.al












