Transvestitët grabisin biznesmenin gjerman

Jun 2, 2012 | 14:30
Drejtoria e Policisë Tiranë

Një biznesmen gjerman është grabitur me dhunë në mes të Tiranës nga një çift homoseksualësh, të cilët kanë përdorur si karrem një prostitutë. Ngjarja ka ndodhur pas Pallatit të Kulturës në Tiranë, ku shtetasi gjerman është mashtruar e më pas është grabitur duke i marrë 500 euro dhe telefonin iPhone. I huaji ka qenë pronar i një kompanie që prodhon stilolapsa në Tiranë, i cili ishte duke u kthyer për në shtëpi në momentin që është sulmuar nga tre persona. Ata e kanë goditur gjermanin me gurë, grushte e shkelma për t’i marrë sendet dhe paratë. Burime nga Policia thanë se ngjarja ka ndodhur disa minuta pas mesnate, duke gdhirë dita e djeshme, fare pranë qendrës së Tiranës. Biznesmeni gjerman, Wolfgan Kraiser, ka pësuar disa plagë në pjesë të ndryshme të trupit dhe pas mjekimit ka bërë kallëzimin për grabitje në Komisariatin Nr.1. Ai ka shpjeguar në polici se e kanë sulmuar dy djem dhe një grua kur po kthehej në shtëpi dhe i kanë vjedhur 500 euro dhe një iPhone. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen dhe në bazë të përshkrimeve që ka dhënë i dëmtuari, policia nuk e ka pasur të vështirë identifikimin e tyre, pasi ata kanë qenë të proceduar disa herë më parë. Dy prej autorëve janë arrestuar, ndërsa i treti është identifikuar dhe shpallur në kërkim nga policia. Të arrestuarit janë Marie Kalthi, 44 vjeçe, e dënuar më parë për grabitje dhe prostitucion dhe Ismail Matrakulli, 26 vjeç, i dënuar për “marrëdhënie seksuale apo homoseksuale në publik”. Personi i tretë që është shpallur në kërkim është 27-vjeçari Tahir Luga, i arrestuar më parë bashkë me partnerin e tij, Matrakulli, pasi janë kapur duke kryer marrëdhënie homoseksuale në publik. Në denoncimin që ka bërë në polici biznesmeni gjerman, Wolfgan Kraiser, dy djem, që i dukeshin si transvestitë, i janë afruar fillimisht në rrugë, duke i ofruar 44-vjeçaren Marie Kalthi për të kryer marrëdhënie seksuale me të kundrejt një pagese. Kraiser ka pohuar se me dy djemtë homoseksualë është takuar kur po kalonte mbrapa Pallatit të Kulturës, për të shkuar në shtëpinë e tij, që ndodhet pranë Pazarit të Ri në Tiranë. Në kohën që ata përpiqeshin të “negocionin” me të, aty është afruar edhe Kalthi dhe në këtë moment ajo, në bashkëpunim me Tahir Lugën dhe Ismail Matrakullën, kanë nisur ta godasin shtetasin e huaj. Fillimisht me grushte e shqelma, më pas e kanë goditur edhe me gurë. Në kohën që ai është rrëzuar në tokë, ata i kanë vjedhur paratë që kishte në xhep, rreth 500 euro dhe celularin iPhone. Policia ka thënë se dy prej autorëve të grabitjes së biznesmenit gjerman, shtetasit Tahir Luga, nga Zall-Bastari i Tiranës dhe Ismail Matrakulla, po ashtu nga kryeqyteti, kanë qenë të arrestuar në vitin 2009, pasi janë kapur duke kryer marrëdhënie homoseksuale në publik me dy shtetas të tjerë.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura