Transplantimi te privati, komisioni kthen projektligjin

Jul 7, 2011 | 10:50
Komisioni i shëndetësisë

Kthehet mbrapsht për rishqyrtim projektligji i Ministrisë së Shëndetësisë për transplantet e organeve.Anëtarët e komisionit kanë vërejtur në të një sërë mangësish, për të cilat u diskutua dje në mbledhjen e radhës. Kreu i këtij komisioni, Tritan Shehu, tha se projektligji ka nevojë të jetë më i qartë , sa i përket personave që lejohen të japin organe për transplantin. Sipas tij, mungojnë specifikimet për mënyrën si do të lejohen klinikat private të kryejnë një ndërhyrje të tillë. Shehu theksoi se duhen bërë përcaktimet më të detajuara të transplantit nga personat që nuk jetojnë. Ai vuri theksin te licencimi i subjekteve që mund të kryejnë transplante. “Pra, duhet të kërkohet një sistem licensimi i veçantë, jo një licensim thjeshtë për të pasur një klinikë. Unë dua të di se në cilin vend të Bashkimit Europian transplantet mund të bëhen në institucionet private”, tha Shehu. Në nenin 11 të projektligjit është përcaktuar se, përveç qendrave publike ku do të kryhen transplantet, ndërhyrja do të lejohet edhe te privatet. Ndërsa të parat ngrihen me urdhër të ministrit të Shëndetësisë, të dytat licencohen sipas legjislacionit në fuqi. Çka do të thotë që mjafton të aplikosh për një licencë dhe të hapësh një klinikë ku mund të kryhen transplanto organesh. Këtë pikë të draftit anëtarët e komisionit të shëndetësisë e kanë parë jo shumë me vend. “Qendrat publike të transplantit ngrihen më urdhër të ministrit të Shëndetësisë, ndërsa ato private licencohen sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në nenin 11 të projektligjit për “Transplatimin e indeve, qelizave dhe organeve”. Kreu i komisionit, Tritan Shehu, theksoi gjithashtu se duhet detajuar edhe si do të veprohet me pacientët që bien në koma. “Në një të sëmurë të dekortikuar, t’i nuk ke të drejtë të marrësh organin, pasi asnjeri nuk e di se çfarë ndodh. Në botë kanë ndodhur që njerëzit kanë dalë nga koma pas 2-3 vjetësh. Unë mendoj se kjo është një pikë që duhet shënuar mirë. Do ta këshilloni këto ditë edhe me specialistë të tjerë, jo vetëm me ne, por unë mendoj se duhet qartësisht elementi i vdekjes”, deklaroi Shehu. Projektligji për transplantet e organeve, indeve dhe qelizave pritet të ridiskutohet në komision ditën e hënë me rregullimet e kërkuara, ku i pranishëm do të jetë edhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Projektligji për herë të parë vendos standardet e kryerjes së transplantove në vendin tonë. Në të janë përcaktuar veç të tjerash sanksionet që do të ndërmerren për të gjitha rastet kur transplanti nuk lejohet. Në fakt, për ndërhyrje kaq delikate projektligji duket se nuk është i kornizuar qartë edhe sa i përket ndëshkimit. Ato janë mjaft të “buta”, ndonëse bëhet fjalë për operacione me rëndësi jetike, për të cilat paguhet shtrenjtë. Drafti sanksionon se në Shqipëri ndalohet transplanti i indeve, qelizave dhe organeve për përfitime financiare. Po kështu, nuk lejohet transplanti i trurit apo manipulimi gjenetik i embrionit për qëllime transplantimi. “Heqja e indeve dhe organeve nuk mund të kryhet ndaj një personi të paaftë, pa marrë pëlqimin e tij, përveç rasteve të veçanta”, thuhet në nenin 6 të projektligjit. Sipas tij, ndalohet promovimi dhe reklamimi me qëllim kërkese apo oferte të organeve.

500 mijë lekë deri në 1 milion lekë ose heqje e të drejtës së profesionit për 3 vjet janë disa nga penalizimet
për shkelje të dispozitave ligjore të vendosura për transplantimin e organeve.

Sanksionet: Gjoba deri në 1 milion lekë

Kryerja e veprimeve në kundërshtim me projektligjin do të sanksionohet me gjoba nga 500 mijë lekë deri në 1 milion lekë ose me heqje të së drejtës së profesionit për 3 vjet. Po kështu, janë parashikuar edhe një sërë penalizimesh të tjera. “Kryerja e transplanteve të indeve dhe organeve pa marrjen e konsensusit  nga dhuruesi, dënohet me heqje të së drejtës së profesionit deri në tre vjet”, thuhet në projektligj. Në të përcaktohet se mosnjoftimi i efekteve të padëshiruara nga qendrat që kryejnë transplantimin, dënohet me 500 mijë lekë gjobë. “Kryerja e importit dhe eksportit të transplantove pa autorizimin e ministrit të Shëndetësisë, përbën vepër penale dhe dënohet sipas dispozitave të Kodit Penal”, përcaktohet në draft. Sipas tij, me heqje të së drejtës së ushtrimit të profesionit për 3 vjet do të dënohet edhe shkelja e kushteve të konfidencialitetit që përcakton ligji.

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura