Transkriptimi politik i votës së 8 majit

Jul 11, 2011 | 12:10

ALFRED ÇAKO

Panorama e rezultatit dhe shkaqet e brendshme të tij. Tashmë që odiseja e përcaktimit të fituesit të kryebashkiakut të Tiranës mori fund, mund të themi se e njohim hartën e fituesve që përcaktoi vota e qytetarëve. Nga një vështrim i shpejtë mund të themi se profecia e simbolikës së zgjedhjes së datës së votimeve nga Topi & Rama më 8 maj për të larguar “fashistin” modern shqiptar, mëkëmbësin e neokonsëve në Tiranë, z. Berisha, doli relativisht e dështuar. Projekti i nxituar i largimit të pleqve të politikës shqiptare, të ofruar nga Rama më 2007-n, duket se nuk pati sukses në dy raste. Ndoshta Rama, nga padurimi, ia kishte blerë në verë çadrën e PS-së Nanos dhe tash që po vjen dimri mund të detyrohet t’ia falë dikujt tjetër në PS. Ashtu si me fatin e dy figurave të vjetra të ngjashme nga politika shqiptare, Zogu-Noli, shqiptarët edhe më 8 maj duket se në shumicë anuan nga vlerat e konservatorizmit. Ndoshta kalorësi Rama, që pretendonte të sillte modernizimin e shoqërisë shqiptare me modelin e jetës së vet dhe historitë personale, u pa nga shqiptarët, sidomos nga rezidentët e formuar në zonat rurale, si një model i papranueshëm. Lidhur me këtë mund të shohim tre tregues kryesorë të 8 majit: a) qytetet e mëdha votuan kundër Berishës (jo pro Ramës); b) Tirana dhe zonat rurale u nxitën gjatë votimit, kryesisht e sipas rastit, kundër Ramës dhe kundër Berishës dhe nuk e dhanë votën pro tyre; c) meqenëse zonat rurale e dërrmuan projektin e modernizmit “Rama”, votat në total i fitoi, me rreth 140 mijë më tepër, krahu i maxhorancës aktuale. Natyrisht që përplasja politike 4-vjeçare është: PS e Ramës kundër gjithë të tjerëve; madje edhe kundër ndërkombëtarëve me të cilët kishte kohë që me megalomaninë dhe njohuritë e përcipta për fuqinë reale të tyre, po i shtynte këta të fundit që t’ia thurnin prej disa muajsh kularin rreth qafës. Po t’i shohim shkaqet për pikat më lart mund të themi se qyteti dhe biznesi e refuzoi Berishën në shumicë, pasi nuk pajtohet me qeverisjen e tij e me politikanët rajonalë të ardhur në qytet, kryesisht nga fshati ose Veriu, si dhe me politikat e qeverisë së tij ekonomike. Gjithashtu, duket se biznesi dhe njerëzit e shkolluar të qyteteve e ndjejnë të ardhmen e tyre të kërcënuar nga perceptimi i tyre mbi mundësinë e zhytjes së vendit në një borxh të rrezikshëm publik ndaj bankierëve ndërkombëtarë, çka mund ta rrezikojë vendin shumë shpejt, duke e çuar atë drejt një recesioni dhe kolapsi me pasoja të gjithanshme, pas disa mandatesh, sipas modelit grek (për panoramën mbi këtë çështje delikate do të flasim posaçërisht në një shkrim tjetër). Nga ana tjetër, qytetet që ndodhen më pak të shokuara nga modeli personal dhe politik “modernist” i Ramës, nuk e kanë parë atë si ndonjë kërcënim të madh me fitoren e tij përballë Berishës, nisur dhe nga mendësia qytetare e nevojës për rotacion dhe prirja globale e zakonshme e qytetit ndaj opozitës. Përsa i përket Tiranës, nuk u dukën këto karakteristika të votimit të qyteteve të tjera. Tirana duket se e ka refuzuar me minus 22 mijë vota avancën e Ramës për shkak të tensionimit e prishjes së qetësisë të jetës së saj, të paktën në dy raste të ekzagjeruara të protestave pa ndonjë shkak të dukshëm, të dëmshme edhe për proceset integruese dhe imazhin e vendit tonë në botë; sidomos vota kundër Ramës në Tiranë ishte rezultat i pamjeve rrëqethëse të 21 janarit dhe mospranimit të grumbullimit të zgjyrës së vendit për të shkallmuar me dhunë institucionet, por dhe për shkak të refuzimit të përqendrimit të vendimmarrjes për fatet e kryeqytetit – për 11 vjet – në një grusht njerëzish me në krye kryedespotin cinik Rama. Zonat rurale dihet se votojnë në përgjithësi pro qeverisë, por në fakt vota e tyre duket se ka qenë e tillë edhe në respekt të ngritjes relative të pensioneve në fshat, si dhe shumë investimeve në infrastrukturë, arsim, shëndetësi e gjetiu nga qeveria “Berisha”. Po kështu, këto zona nuk kanë ndonjë administratë me lidhje vertikale me qeverinë, si dhe nuk e ndiejnë aspak efektin e sundimit krahinarist ose nepotik të qeverisjes qendrore, ashtu si e percepton këtë qyteti. Përsa i përket numrit mbisundues në total të votave blu, kjo vjen sepse vetë numri i votuesve në zonat rurale është ende më i madh se në zonat urbane dhe se në zonat rurale pati një diferencë më të madhe në përqindje në favor të qeverisë, sesa pati në qytet në favor të opozitës, si dhe për shkak të një aleance më të zgjuar të krahut të maxhorancës, ku bie në sy aleanca me LSI-në dhe PDIU-në, të cilat mund të jenë vendimtare edhe në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme më 2013-s. Gjithsesi, arma më e fortë për mbijetesë e Ramës me grupin e tij të betonit duket se do të jetë edhe në vazhdim alternativa e transferimit të investimeve të tyre në turizmin bregdetar, pasi PS-ja me kryetarët e vet lokalë, drejton pa ndërprerje të gjithë bregdetin tonë, nga Velipoja në Ksamil.
Shkaqet e jashtme të humbjes së Ramës
Ka një shprehje, se “nevojtari, kur ka siklet, shkon e përmjer edhe në derën e xhamisë”. Edhe Rama, ashtu si e kemi thënë prej 2-3 vjetësh – si një kryeministër hije që ka politikën dhe diplomacinë e vet dhe që ka nevojë për mbështetjen e ndërkombëtarëve, sidomos në një vend shumë të vogël e shumë të ndikueshëm si Shqipëria – kishte kohë që po e vetëprojektonte fundin e vet të hidhur. Në të gjitha lëvizjet e tij ai duket se u përdor nga grupi financiar i Soro-sit kundër neokonsëve dhe “miqve” të vjetër të Berishës në SHBA. Për të mos rënë në përsëritje, do të themi shkurt se ku gaboi Rama në raport me njerëzit kryesorë të Uashingtonit në çdo qeveri, i cili është grupi i superfuqishëm i Yale University. Rama, në fakt, quante Dik Çenin (ish zv.president i SHBA dhe administrator I Halliburtonit), si hajdut e të korruptuar, kur e quante Lul Bashën të korruptuar në “aferën” e rrugës Durrës-Kukës; ai quante gjoja Berishën si të korruptuar në rastin e “aferës Fazlliç” (nënkupto goditjen kundër ish-këshilltarit të presidentit Bush për Çështjet e Sigurisë, Tom Rixh); në çështjen e Gërdecit të goditur nga shërbimet inteligjente ndërkombëtare më 15 mars, me rastin e Ideve të Marsit apo ditën e vrasjes dhe mallkimit të Cezarit…, ai gjoja godiste si vrasës klanin Berisha & Mediu kur dihej se Gërdeci ishte një sipërmarrje e dyfishtë SHBA-Shqipëri dhe me fitim të dyanshëm. Po kështu, PS u prononcua dhe mbajti një qëndrim të dyshimtë e kundër përfundimeve të hetimeve ndërkombëtare mbi rastin e tragjedisë me jetë të z. K. Trebicka. Me këto veprime, Rama synonte të fitonte elektorat si dhe t’i nënshtronte amerikanët duke u thënë atyre se ky vend ka zot. Ah, vërtet? Unë e besoj, po ju? Ah, sa filma të kinostudios “Shqipëria e re” duket se ka parë z. Rama! Ah, sa fjalime të shokut Enver duket se ka besuar ai! Ndoshta edhe ajri i Pezës e grish atë që të rrëmbejë, si më 21 janar, nagantin kundër të gjithë “pushtuesve” të huaj në Rrugën e Kavajës dhe Rrugën e Elbasanit. Gjithsesi, kupa e fundit e helmit u pi nga Rama më 21 janar, kur ai do të ndiqte këshillat e “klanit të betonit” në PS, i braktisur pas kësaj nga të gjithë faktorët e qenësishëm, të brendshëm e të jashtëm (edhe Sorosi u largua nga Tirana sapo mori si koncesion minierat e Zveçanit në Mitrovicën e epërme). Rama u braktis nga miku i vet njëlloj si u braktis Noli në një takim në Paris më 1923-shin nga kompanitë elitare të naftës, të cilat ndanë mes veti zonat e tyre të influencës; në Shqipëri do të vendosej Anglo-Persian Oil, e cila ishte refuzuar në Parlamentin shqiptar nga enturazhi i Noli-Gurakuqit, të cilët ishin në favor të koncesioneve ndaj Exxon dhe API. Gjithsesi, ia vlen të ritheksojmë faktin se fati i politikanëve në vendet e vogla vendoset kryesisht nga elita globale. Prej tyre kanë rënë dhe janë ngritur shumë figura në vende më të rëndësishme se Shqipëria, si Mosadeku e Shahu në Iran, disa figura politike në Egjipt, në Irak, Pakistan apo edhe në Itali, Jugosllavi, Greqi, Belgjikë, Suedi e Turqi. Nëse Rama do t’i kishte pasur parasysh këto raste, zor se do të bënte “dash-dash” para dhe pas 21 janarit me ambasadorin e sapoardhur e të gjithëfuqishëm amerikan në Shqipëri, z. Arvizu. Elita i administron problemet globale sipas parimit Hegelian, tezë-antitezë-sintezë, të përkthyera në formulën problem-reagim-zgjidhje. Edhe modeli politik pluralist demokratik me rotacion nuk është gjë tjetër veçse një model i imponuar nga elita sipas parimit Hegelian, ku problemi dhe reagimi janë, sipas rastit, maxhoranca ose opozita dhe zgjidhja do të jenë ndërkombëtarët (elita). Gjithashtu Rama nuk ka pasur këshilltarë të mirë që ta orientonin në marrëdhëniet e tij nevojshmërisht fleksibël me ndërkombëtarët, të cilët e luajnë lojën shpesh me dy ose tre skenarë njëkohësisht, ku çdo aktor e ndien veten të përfshirë si totolesh në një skenar, duke mos e ditur se fitues i përkohshëm do të jetë totoleshi i skenarit të fundit. Madje, për ta mbyllur këtë që thamë me një ilustrim të përdorimit të disa skenarëve njëherësh me të gjithë politikanët, do të tregojmë një rast shumë më domethënës e gjithëpërfshirës, por të ngjashëm për nga modeli: vrasjen e presidentit Kenedi nga elita. Kur ky i doli ndesh sindikatës së krimit të M. Lanskit dhe Izraelit në Lindjen e Mesme dhe nuk e lejonte këtë të fundit të avanconte në programin e armatimit bërthamor, vrasja e tij u organizua me dy skenarë, ku askush nga operativët e inteligjencës në terren nuk e dinte skenarin tjetër. Atij që sot quhet si vrasësi zyrtar i Kenedit, Lee Oswald, agjent i CIA-s, i ishte thënë se do t’i bëhej një atentat “fiktiv” Presidentit (pa dijeninë e Kenedit) në mënyrë që ai, pas këtij “atentati” të detyrohej të pranonte skemën republikane të ndërhyrjes ushtarake mbi Kubë dhe që të goditeshin në SHBA të gjithë ata elementë të majtë që ishin pro Kastros dhe kundër ndërhyrjes ushtarake në Kubë. Përndryshe Kenedi vazhdimisht do të ishte i kërcënuar me jetë nga Kastro. Atij do t’i thuhej se atentatori quhej Lee Oswald dhe ishte një agjent i paguar i Kastros. Paraprakisht, një muaj para “atentatit”, agjenti “petsy” (totolesh) Oswald ishte filmuar e transmetuar në një televizion lokal si “aktivist pro Kastros dhe Kubës demokratike”. Pasi të “qëllonte pa sukses” me pushkë mësimore kundër Kenedit, sekuencat e tij të vjetra të dhëna në TV-lokale pro Kastros – bashkë me identitetin e fytyrën e tij – do të jepeshin nga televizionet kombëtare (NBC). Ndërkohë, totoleshit Oswald i ishte premtuar se do t’i jepej ndihmë nga CIA që të “arratisej” në Kubë si një hero pro Kastros, derisa Kuba të invadohej ushtarakisht nga SHBA dhe Oswaldi të rikthehej përsëri si hero; popullit amerikan, pas kësaj, mund t’i tregohej e vërteta dhe kontributi i tij. Por Oswaldi nuk e dinte skenarin e dytë, që Kenedi do të qëllohej vërtet, përveç të tjerëve, nga ekipi i inteligjencës franceze OAS dhe vrasësi profesionist Jean Souetre. Vetë Oswaldi, pas gabimit të tij të rëndë, do të vritej me turp në gjykatë nga skenaristi e “bashkëpunëtori” i tij, “tifozi për vdekje” i Kenedit, Jack Rubbinshtejni i Al Kapones, i cili u “dënua” pas kësaj me burgim të përjetshëm dhe shumë shpejt u deklarua se “vdiq në burg”, ndërkohë që ka zëra se ai u transferua në Izrael. Ky pra është një rast i madh e klasik i lojës me shumë skenarë, mundësi e të papritura me të cilat ballafaqohen politikanët e çdo rangu dhe të çdo vendi, të kurdisura nga ata që i kontrollojnë nga mbrapa, shpesh pa e kuptuar. Me një rast të tillë duket se janë ballafaquar në mënyrë simetrike edhe Noli me Ramën. Të parin e miklonte dhe e braktisi kompania “Exxon” e familjes Rockefeler më 1924-n dhe të dytin duket se e braktisi Sorosi më 2010-n, pasi dy shqiptarët nuk e kuptonin (s’ka se si) lojën me shumë skenarë të elitës.

© Panorama.al

Te lidhura