TIRANË- Me një ceremoni të vecantë është përcjellë sot grupi i oficerëve shqiptare, që nisen për trajnimin e policisë afgane, në Kabul.
Kreu i qeverisë, Sali Berisha duke i dorëzuar flamurin shqiptare ka përgëzuar policinë për arritjet e shumta dhe kontributin në shndërrimin e Shqipërisë, në vend të sigurtë, për kontributin e tyre të madh për jetën, sigurinë, pronën e qytetarëve.
Ai e ka quajtur moment shumë të vecantë përcjellim e 5 oficerëve në një detyrë shumë të rëndësishme, atë të trajnimit të policisë afgane. “Ky është misioni i parë paqëruajtës i Policisë së Shtetit shqiptar dhe përbën dhe një arritje madhore. Kjo vjen si rezultat i një preformance të shkëlqyer në rritje të efektivit të policisë së shtetit në zbatim të ligjit në mbrojtje të jetës dhe bashkëpunimit të shkëlqyer me policitë e vendeve mike”- tha Berisha.
Kryeministri ka garantuar efektivët se qeveria do të bëjë gjithcka për suksesin e plotë të veprimtarisë së tyre në Kabul dhe mbështetjen në rritje të efektivit të policisë së shtetit në përmbushjen e detyrimeve të veta ligjore.
© Panorama.al











