Trajneri i Bosnjës, Sushiç: Duhet durim me shqiptarët

Jun 7, 2011 | 11:40

Trajneri i Bosnjë-Hercegovinës u ka kërkuar durim tifozëve deri në fund të ndeshjes, pasi parashikon se Shqipëria mund të pësojë gol vetëm në minutat e fundit. Sipas tij, skuadra nuk duhet të ngutet për të shënuar sa më shpejt, pasi kështu mund ta pësojë. “Ndaj Shqipërisë duhet të fus në fushë ekipin më të mirë, pa marrë parasysh inatin tim ndaj disa futbollistëve. Jam menduar gjatë dhe mendoj se kam gati ekipin që është në gjendje ta mposhtë Shqipërinë – ka thënë Sushiç në konferencën për shtyp. – Ende kemi gjasa reale për të zënë vendin e dytë në grup dhe për këtë na nevojitet vetëm fitorja ndaj Shqipërisë. Do të ishte e pazakontë të bënim të njëjtën paraqitje si në Bukuresht. Do të ketë ndryshime, ndoshta dy ndërrime, por nuk dua të zbuloj se kush do të luajë, pasi ende nuk jam i sigurt. Megjithatë, në fushë do të dalë ekipi që mund të triumfojë ndaj Shqipërisë. Do të luajmë lojë ofensive me dy sulmues”. Më pas, trajneri i kundërshtarëve të sotëm të Shqipërisë u ka bërë një thirrje të veçantë tifozëve që të ruajnë qetësinë. “Ju lutem tifozëve të kenë durim, do të jetë vështirë të japim golin e parë dhe këtë e kemi parasysh. Shqipëria është kundërshtar i fortë, por jam i sigurt për fitoren. Vlerësoj se jemi ekip më i mirë se ata dhe, për më tepër, luajmë para tifozëve tanë. Jam i sigurt se do të shënojmë gol, por kjo mund të ndodhë edhe në fund të ndeshjes. Ne kemi lojtarë që mund të bëjnë diferencën. Ajo që ndodhi në Rumani ishte incident që u ngjet shumë ekipeve, madje më të mira se ne. Duhet ta tejkalojmë këtë dhe të fokusohemi në ndeshjen me Shqipërinë”, ka deklaruar Safet Sushiç.

© Panorama.al

Te lidhura