Traja: Pse ‘Luarasi’ kërkoi ish-konviktin, kemi qëllime publike

Jul 12, 2012 | 13:27
Rektori i Universitetit Luarasi, Kristaq Traja

Flet rektori Kristaq Traja: Në përputhje të plotë me ligjin.

“Pse ‘Luarasi’ e kërkoi godinën e Gjuhëve të Huaja”

“Prodhojmë dije, qëllimet tona janë njësoj publike, zgjedhja i takon studentëve”

Pas hapjes së debatit publik për godinën e  konviktit të Gjuhëve të Huaja, e cila është kërkuar të merret me qira nga universiteti “Luarasi”, reagon rektori Kristaq Traja. Kur bëhet fjalë për prodhim dijesh, sipas tij, askujt nuk i lind e drejta të bëhet vlerësuesi se ku fillon e ku mbaron interesi publik. Kjo e drejtë u takon studentëve, të cilët janë të lirë të zgjedhin.
Në intervistën e tij për gazetën, rektori shpjegon se procedurat e ndjekura nga universiteti “Luarasi” janë në përputhje të plotë me ligjin. Ai u përgjigjet edhe pretendimeve të kreut të UT, Dhori Kule, duke theksuar se çdo person i arsyeshëm nuk do të kërkonte përjashtimin nga pjesëmarrja e lirë në transaksionet juridike të një institucioni privat arsimor me shtetin ose organet e qeverisjes vendore.
Z. Traja, prej ditësh është hapur një debat për godinën e konviktit të Gjuhëve të Huaja, të cilën universiteti “Luarasi” ka kërkuar ta marrë me qira për studentët e tij. Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, thotë se kjo godinë duhet t’i jepet UT. Si e keni përjetuar këtë debat në cilësinë e rektorit të universitetit “Luarasi”?
Natyrisht, e kam ndjekur këtë histori, sepse ajo prek drejtpërsëdrejti shkollën, për të cilën unë përgjigjem nga ana akademike. Aktualisht shkolla ndodhet në një godinë të marrë me qira dhe nga kapaciteti i saj nuk përballon dot ngarkesën numerike të studentëve, e cila, duke parë dhe perspektivën, ka prirjen e qartë të shtohet. Shkolla, përveç profilit juridik dhe të administrimit publik, ka në planet e saj për të ardhmen imediate dhe të mesme synime cilësore, projekte të lidhjeve me universitete të dëgjuara të huaja, të ngritjes së laboratorit kriminalistik etj. Të gjitha këto janë pjesë përbërëse të nevojshme për një shkollë të lartë, dhe jo thjesht qëllime komerciale. Me këtë sy, debatin publik rreh godinës së konviktit të Gjuhëve të Huaja e kam ndjekur me shqetësimin legjitim të atij që e sheh si çështje me ndikim të drejtpërdrejtë mbi fatin e shkollës, cilësinë e programeve dhe arritjes së synimeve serioze që i kemi vënë vetes për të nxjerrë diplomantë me cilësi, siç ka qenë dhe mbetet tradita e kësaj shkolle. Pra, kërkesa për një hapësirë ndërtimore në përshtatje me synimet dhe me standardet që kërkon arsimi i lartë, është, natyrisht, e mbështetur në fakte e në logjikë. Por, mund të thonë se shkolla është private dhe se privatët e kanë detyrë të zgjidhin problemet që shoqërojnë mbajtjen në nivel normal të një shkolle të lartë. Kjo është gabim, po për këtë do të flas më poshtë.
Është normale që rektori i Universitetit publik të kërkojë të zgjidhë probleme të tilla si ato që ka edhe shkolla “Luarasi”. Për këtë ka procedura legale që duhen ndjekur. Nuk besoj se ka njeri të arsyeshëm të thotë se kërkesa të këtij lloji janë të ndaluara! Pse? Me këtë kaloj te përgjigjja e pyetjes së dytë.
Sipas z. Kule, qeveria duhet t’ia japë këtë godinë Universitetit shtetëror të Tiranës për qëllime publike. A përfaqësoni dhe ju si universitet privat qëllime publike dhe çfarë projektesh keni si universitet pasi ta merrni me qira?

Godina e konviktit të Gjuhëve të Huaja

Sipas z. Kule, godina në fjalë duhet t’i jepet Universitetit shtetëror të Tiranës. Për arsye dhe për qëllime publike. Duket sikur shkolla “Luarasi” nuk ka qëllime publike! Por, siç është e qartë për këdo që merret me punë të tilla, arsimi nuk është asnjëherë çështje private. Ai është tepër i rëndësishëm për t’u konsideruar çështje komerciale dhe aktivitet fitimprurës. Vetë Kushtetuta (neni 57/6) qëllimisht nuk flet për shkolla “private”, por për shkolla “jopublike”. Nëse dija është themeli dhe e ardhmja e shoqërisë, nëse ajo është qytetërim, atëherë arsimi nuk mund t’i lihet arbitrimit të privatëve dhe logjikës thjesht tregtare. Prandaj është e natyrshme një mbikëqyrje e Ministrisë së Arsimit mbi programet mësimore në masën dhe nivelin e pranueshëm për një dije të dhënë e të marrë lirisht, brenda kuadratit të vlerave që qëndrojnë në themel të një shoqërie demokratike.
Kur Kushtetuta flet për shkollat “jopublike” ka parasysh faktin se, së pari, ato nuk mund të jenë private në kuptimin komercial dhe, së dyti, kanë ndikim të drejtpërdrejtë mbi çështje të rëndësisë publike. Nuk di ç’mund të ketë më publike se arsimi.
Kur z. rektor i Universitetit publik thotë se godina në fjalë duhet t’i jepet këtij Universiteti, ai mendon ndoshta se vetëm kjo shkollë përfaqëson interesat publike. Por kush duhet t’i peshojë këto vlera? Të interesuarit? Sigurisht, ata mund ta bëjnë ketë gjë, por pikërisht për këtë arsye edhe shkolla “Luarasi” ka të drejtë të plotë të pretendojë për kushte më të mira materiale që të përçojë më mirë një arsim që ka qëllime dhe efekte publike. Në këtë shkollë ne nuk japim mësim teoritë tona private. Mjafton të shikoni programet e saj në krahasim me Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës dhe do të gjeni përputhje në një masë të përgjithshme. Dhe kjo është më se e natyrshme, pasi diktohet nga vetë natyra e dijes dhe e profesionit që jepet.
Atëherë, kur janë në peshore vlera të tilla publike ai që vendos është organi publik i veshur me atribute pushteti. Askush nuk ka të drejtë të paragjykojë motivet e një kërkese të tillë. Ajo që ka rëndësi vendimtare është ndjekja e përpiktë e ligjeve materiale dhe e procedurave ligjore. Askush nuk është në gjendje të thotë se në rastin e shkollës “Luarasi” ligji dhe procedura u shkel. Sa për atribuimet se këtu mban erë padrejtësie apo korrupsioni, mund të them vetëm se këto janë të vërtetueshme në çdo rast. Ata që thonë hamendje të tilla duhet ta dinë se motivet dhe interesat e kërkuesit nuk janë ligji. Ligji ngarkon Bashkinë të bëjë veprime juridike me pasurinë që i është besuar ta administrojë. Çdo çështje që bëhet ligjore duhet të marrë vetëm përgjigje ligjore. “Luarasi” nuk është as bashki, as gjykatë që të mund t’i vihen përsipër përgjegjësi shtetërore për cenim të interesave publike. Nëse shkolla “Luarasi” ka qëllim të përparojë, dhe kjo është fare legjitime, ajo nuk duhet të gjendet vazhdimisht në perspektivën e zymtë të mungesës së hapësirës për të zhvilluar projektet e saj. Ndikimi i fuqishëm publik i arsimit “privat” nuk pajtohet me logjikën e thatë tregtare që e konsideron shkollën si ndërmarrje që lihet në fatin e saj. Shkolla normalisht nuk duhet të falimentojë për arsye ekonomike, përveç kontributeve të vetë studentëve, çka varet nga cilësia e arsimdhënies.
Debati i fundit për godinën e ish-konviktit të Gjuhëve të Huaja vjen pas një atmosfere skeptike që është krijuar mbi universitetet private dhe akuzave për shitje diplomash dhe mungesë cilësie. Si do t’i përgjigjeshit ju si rektor i një prej universiteteve të para private të krijuara në Shqipëri?
Nëse ka skepticizëm, disa herë të motivuar, rreth cilësisë së arsimit në shkollat jopublike, kjo nuk është arsye për t’i përjashtuar këto nga pjesëmarrja në mundësitë që ofron shteti ose pushteti vendor me masa materiale, organizative, promovuese. Që nga momenti që shteti ka detyrimin të vigjilojë mbi respektimin e vlerave që përçon arsimi, ai ka, gjithashtu, edhe detyrimin të ndihmojë në kushtet ligjore etj., që ky arsim të zhvillohet sipas standardeve publike vendase dhe europiane. Shteti ose pushteti vendor në këto raste ndërhyn nëpërmjet ligjit civil në formë kontraktore, në barazi të plotë mes palëve dhe me autonomi vullneti. Nëse ky organ ia jep “Luarasit” asetin ekonomik për të cilin ai ka nevojë, kushdo mund të flasë, por nuk mund t’i thotë kësaj shkolle se ka gabuar, sepse nuk është ajo që vendos. Aq më tepër, ata që insinuojnë veprime të paligjshme në kurriz të “Luarasit” duhet të marrin pjesë në procedurat ligjore. Ky është vendi për të folur.
Unë nuk mund ta kuptoj një logjikë që niset nga veprime abuzive të caktuara të ndonjë shkolle jopublike dhe që i përjashton nga pjesëmarrja e lirë në transaksionet juridike të tyre me shtetin ose organet e vetëqeverisjes vendore. Kush shkel ligjin, dënohet, por nuk mund të dënosh me hamendje, me supozime morale për gjëra që kanë kaluar në procesin ligjor. “Luarasi” deri më sot nuk ka asnjë njollë biografike. Ajo që kërkon është vetëm një shans për të ecur më tej, në përputhje me objektivat që i ka vënë vetes. As të drejtë të kërkojmë nuk na lini?! Unë nuk bëj krahasime midis fakulteteve publike dhe shkollës sonë, sepse cilësinë parapëlqej t’ua lë studentëve, prindërve të tyre dhe opinionit publik.
Ju jeni një emrave më të njohur në fushën e drejtësisë. Pse keni zgjedhur të drejtoni një universitet privat si “Luarasi”? A keni pasur mundësi të kontribuoni në Universitetin shtetëror?
Unë kam dhënë mësim në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës dhe e çmoj si shkollë. Megjithatë, shkolla jopublike, siç më duket mua, mund të dalë edhe në pista të tjera jo vetëm të dijes, por edhe të mësimdhënies. Programet bëhen duke marrë parasysh edhe tendencat më të reja dhe dëshirat e studentëve. Shkollat publike kanë detyrimisht një program më të mesatarizuar, sepse duhen mbajtur parasysh veçoritë e të gjithë territorit të Republikës dhe nivelet e ndryshme të kulturës zonale. Ne jemi një shkollë numerikisht modeste, prandaj edhe kemi mundësi të eksperimentojmë brenda një kolektiviteti studentor, i cili mund të mund të merret vesh më lehtë për të pranuar ose kërkuar novitetin. Pastaj, ndryshe nga shkolla publike, ne e kemi më të mundshme për ta specializuar arsimin juridik në profile të veçanta, për t’iu përgjigjur kërkesave si të tregut të brendshëm, ashtu dhe të ndjekjes së tendencave europiane. Në këtë fushë ka plot variacione, të cilat, për arsye të kuptueshme, nuk kanë atë mundësi në shkollën publike. Kam idenë (dhe jo vetëm idenë) se arsimi juridik në Shqipëri vazhdon të mbetet si shumë tradicionalist. Dalja në fushat e reja të teorisë dhe praktikës së të drejtës më pëlqen më shumë dhe kjo është, besoj, arsye e mjaftueshme e parapëlqimit tim për shkollën jopublike.
Në këndvështrimin tuaj, a ekziston sot diferencë në cilësinë e diplomave që ofrohen mes universiteteve private dhe atyre publike? Cili është faktori kryesor që përcakton cilësinë?
Diferenca e cilësisë është diçka që varet nga disa faktorë. Për këtë arsye nuk mund të jap një përgjigje të njëvlershme. Programet mësimore janë pak a shumë po ato, shumë pedagogë qarkullojnë në shkollat publike dhe private, tipi i frekuentimit, disiplina dhe metoda e mësimdhënies, raporti provim-temë, ndërveprimi e gjëra të tjera si këto kanë diferencime nga shkolla në shkollë. Ajo që vë re unë në arsimin juridik në përgjithësi dhe që përbën faktor me peshë për cilësinë, është mungesa e një bazamenti të përgjithshëm teorik të së drejtës, të cilin në shkollën “Luarasi” jemi munduar ta fusim në mënyrë të re. E kam fjalën për ato parime juridike dhe për atë përpunim teorik të së drejtës, të cilat drejtojnë, bazojnë dhe interpretojnë dukuritë juridike në degët e veçanta të së drejtës dhe legjislacionit. Është si një lloj tabele e Mendelejevit ku elementet tregojnë vetitë sipas vendit ku janë. Sado disiplinë të ketë shkolla, sado përpjekje të bëjnë pedagogët, sado zell të tregojnë studentët, pa këtë bazë rezultati do të jetë problematik. Ne duam të bëjmë studentë që të mos jenë skllevër të ligjit, por zot të së drejtës.
ZIRINA LLAMBRO

Dy standardet e Kules, ja abuzimi me paratë e shtetit

Ndryshimet në çmimin e blerjes së makinës tip “Mercedez” 320 CDI
Makinën personale e bleu 14 mijë USD, të Rektoratit 50 mijë

Dhori Kule

Zbardhja e deklaratës së pasurisë së Dhori Kules nxjerr në dritë një tjetër standard të dyfishtë të rektorit të Universitetit. Vetë Kule i shpenzon shumë më mirë paratë e familjes së tij për të blerë makinë të përdorur personale, ndërsa e ka dorën shumë të lëshuar kur bëhet fjalë për blerjen e të njëjtës makinë për Rektoratin. Përballja e deklarimit të pasurisë dhe raportit të KLSH-së zbulon dy standardet e ndjekura nga Kule.
Gazeta publikoi pak ditë më parë një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku theksohej se Rektorati i Tiranës kishte shpenzuar 4.95 milionë lekë për të blerë një makinë të përdorur tip “Mercedez-Benz” E 320 CDI. “Blerje autoveturë (copë 1) model i klasit të lartë e përdorur, kur ky automjet të ketë kryer jo më shumë se 30 mijë km dhe të ketë çmimin 4.950.000 lekë, është i pajustifikuar, kur me kaq fond të vënë në dispozicion mund të blihej një ‘Mercedez-Benz’ i ri, tip E 320 CDI EVO Avantgarde, që kushton 29244 euro”, akuzonte KLSH në raportin e tij. Në deklaratën e pasurisë së Kules, të cilën gazeta e zbardhi një ditë më parë, theksohej se në vitin 2011 rektori kishte blerë një makinë “Mercedez-Benz” të të njëjtit tip për 1.409.951 lekë. Në shtesën e pasurisë për vitin 2011, Kule ka shkruar me dorën e tij: “Blerje automjeti Mercedez-Benz (E 320 CDI, i vitit të prodhimit 2008, blerë më 17.2.2010)”.
Pra, për një makinë “Mercedez-Benz” E 320 CDI, Universiteti i Tiranës, që drejtohet nga Kule, ka shpenzuar 4.950.000 lekë në tenderin e 8 korrikut 2009. Vetëm 7 muaj më vonë, vetë rektori Kule ka blerë, këtë herë me paratë e të ardhurave të veta, jo të universitetit, një “Mercedez-Benz” E 320 CDI, për vetëm 1.409.951 lekë. Diferenca është jo e vogël, por 3.540.049 lekë, ose rreth 35000 USD. Standardet e përdorura janë të qarta, me paratë e taksave dhe të studentëve, mund të blihet një makinë 49 mijë dollarëshe, ndërsa me paratë e familjes blihet vetëm 14 mijë dollarë. Kuptohet qartë ndryshimi i mënyrës së menaxhimit të të ardhurave.

Shtohen të ardhurat e Kules, 5 mijë USD në muaj
Në deklarimin e të ardhurave vjetore për vitin 2012, Kule tregonte pagat që merrte si rektor, pedagog në Fakultetin e Ekonomisë, si dhe rrogat në shtatë borde dhe këshilla. Në total, të ardhurat vjetore nga bordet dhe këshillat ishin 1.840.430 lekë në vit, ose 153.369 lekë në muaj. Në fakt, në deklaratën e Kules ka një të dhënë të pjesshme për pagesën e tij si anëtar i Bordit të BSH. Kule ka deklaruar aty të ardhurat, 342.225 lekë, vetëm për muajt pasi është zgjedhur anëtar i Bordit. Në të vërtetë, të ardhurat e anëtarit të Bordit të Bankës së Shqipërisë janë 180.000 lekë në muaj. Pas një rillogaritjeje, del se të ardhurat mujore të Kules, si nënkryetar i Këshillit Drejtues të Autoritetit Portual Durrës, kryetar i Këshillit të Statistikave, anëtar i Këshillit Bashkiak, anëtar i Këshillit të Qarkut, anëtar i Bordit të Autoritetit Kombëtar të Teknologjisë së Informacionit, anëtar i Këshillit të Arsimit të Lartë, anëtar i Këshillit të Vlerësimit të Titujve Akademikë dhe anëtar i Këshillit Mbikëqyrës së BSH, nuk janë 153.369 lekë në muaj, por rreth 304.850 lekë në muaj. Këtyre të ardhurave u shtohen edhe të ardhurat si rektor, prej rreth 157.215 lekësh në muaj dhe ato si pedagog, prej 67.950 lekësh në muaj. Në total, Kule paguhet nga taksat e qytetarëve dhe tarifat e studentëve me një pagë prej 530.015 lekësh në muaj, ose rreth 5 mijë USD. Për ta bërë më të qartë, me ligj, paga mujore e Presidentit të Republikës është 255 mijë lekë në muaj, pra sa gjysma e të ardhurave mujore të Kules.

“Mbledhja e Këshillit nuk pati transparencë shifrash”

Mimoza Hafizi

Mimoza Hafizi u qëndron akuzave të saj për mungesë transparence me fondet e investimeve në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Ajo ka reaguar sërish, pasi rektori i UT, Dhori Kule, i quajti gënjeshtra pretendimet e  saj. “Kolegët më kanë informuar se në mbledhjen e Këshillit të Fakultetit për investimet që kanë nisur, nuk ka pasur transparencë shifrash, prandaj i kam kërkuar kancelarit të universitetit kërkesën zyrtare për të më vënë në dispozicion dokumentacionin”, tha ajo dje për gazetën. Ajo sqaroi se arsyeja e mospjesëmarrjes së saj në mbledhjen e Këshillit të Fakultetit ishte një konferencë jashtë vendit, për të cilën ajo kishte vënë në dijeni dekanatin. “I kam kërkuar kancelarit, që të më vërë në dispozicion dokumentin prezantues që ka paraqitur në mbledhjen e Këshillit të Fakultetit dhe nuk e kam ende një të tillë”, tha Hafizi.

© Panorama.al

Te lidhura