
Të paktën 60 emigrantë, shumica palestinezë dhe gjysma e tyre fëmijë, u mbytën në ujërat e brigjeve turke, pasi një anije e vogël, e tejmbushur u përmbys dhjetëra metra larg bregut. Guvernatori i rajonit bregdetar të Menderes, Tahsin Kurtbeyoglu, tha se numri i viktimave është rreth 60. “Janë 11 burra, 18 gra dhe 31 fëmijë”, u shpreh ai gjatë një telefonate me agjencinë “Reuters”, duke komentuar mbi anijen e mbytur në agim. Destinacioni i saj ishte i paqartë, por ishulli i vogël Ahmetbeyli nga ku u nis anija, ishte vetëm pak kilometra larg ishullit grek, Samos. Greqia është porta kryesore e hyrjes për emigrantët e paligjshëm drejt BE-së. Sipas mediave turke, numri i viktimave është kaq i lartë, pasi gratë dhe fëmijët ishin të kyçur në dhomën e pjesës së poshtme të anijes, edhe pse nuk ka konfirmim zyrtar për këtë. Kurtbeyoglu tha se 46 persona ishin shpëtuar, përfshirë edhe kapitenin e anijes e ndihmësin e tij të cilët janë arrestuar. Ai tha se nuk janë lënë trupa të tjerë në anije dhe nuk pret që të ketë shtim të numrit të viktimave. Pjesa më e madhe e viktimave ishin emigrantë palestinezë, ndërsa origjina e një pjesë tjetër po verifikohet, por të gjithë janë nga Lindja e Mesme, sipas të mbijetuarve. Sipas mediave turke, kishte edhe sirianë e irakianë në bordin e anijes. Ajo u mbyt më pak se 100 metra larg bregut në agim, por raportimet tregojnë se ishte nisur rreth orës 22:30 të së mërkurës.











