Tragjedia në dasmë, dy vëllezërit dëshmi në gjyq

Sep 12, 2012 | 12:24
Mariglen Dushku dhe Pëllumb Belegu, viktimë e vëllezërve Eshja

ELBASAN – Tragjedia e ndodhur në një dasmë të fshatit Jagodinë të Elbasanit do të rikthehet sot në sallën e gjyqit. Dy vëllezërit Blerim dhe Edmond Eshja do të dalin para trupit gjykues me akuzën e vrasjes me dashje të Pëllumb Belegut dhe kunatit të tij, Marenglen Dushku. Ngjarja e rëndë ndodhi ndërsa festohej martesa e familjarit të dy viktimave, ku kishin qenë të ftuar dhe dy vëllezërit Eshja. Nga ana e Prokurorisë së Elbasanit bëhet e ditur se motivi i krimit të dyfishtë ka mbetur ai i vrasjes pas një sherri për arsye banale. Vetë vëllezërit Eshja, të arrestuar pas vrasjes së ndodhur mbrëmjen e së dielës, nuk kanë dhënë deklarime të tjera, veç faktit se nuk mbajnë mend asgjë pasi ishin në gjendje të dehur. Nga ana e hetuesve është e provuar se autorët janë dy vëllezërit Eshja, ndërsa dëshmia e tyre do të merret sot në sallën e gjyqit, në Gjykatën e Elbasanit. Mbrëmjen e së dielës, ndërsa ende nuk kishte përfunduar dasma e djalit të vogël të familjes Dushku, fqinjët e tij u grindën jashtë lokalit të festës me kunatin e dhëndrit. Ata akuzohen se qëlluan me thikë ndaj tij, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Dy vëllezërit e dhëndrit ndërhynë për të shuar konfliktin, por mbetën dhe vetë të plagosur rëndë. Njëri prej tyre, pikërisht Marenglen Dushku ndërroi jetë në spital, ndërsa vëllai tjetër, Mondi Dushku, është në gjendje të rëndë.

© Panorama.al

Te lidhura