Tragjedia e Fratarit, 8 vjet burg shoferit grek

Jul 22, 2011 | 11:39

FIER- Shkaktari i tragjedisë së Fratarit, në të cilën humbën jetën 9 persona, shoferi grek Thomas Tsogas, do të vuajë dënimin me 8 vjet burg. Seanca përfundimtare u zhvillua dje në Gjykatën e Fierit, ku nga 18 vjet burg që kërkoi pretenca një seancë më parë, vendosi ta dënojë Thomas Tsogas me 12 vjet burg. Por nga përfitimi i gjykimit të shkurtuar, shoferi i autobusit që u aksidentua në Fratar të Mallakastrës do të vuajë dënimin me 8 vite heqje lirie. Prokuroria kërkoi 18 vite burg për të pandehurin, duke e motivuar faktin se humbja e jetëve kishte ndodhur pa asnjë arsye teknike, por për një gabim shkaktuar nga pakujdesia e drejtuesit të automjetit, Tsogas. Ngjarja me bilancin tragjik ndodhi më 8 nëntor të vitit të kaluar, rreth orës 20:00, duke shënuar 9 viktima dhe 41 të plagosur. Autobusi i linjës Tiranë-Athinë, me 50 pasagjerë, ra nga një lartësi rreth 100 metra, në fshatin Ninësh të komunës Fratar, në Mallakastër, në vendin e quajtur “Kthesat e Ziajt”. Automjeti me targa INB 9900, që drejtohej nga shtetasi grek Thomas Tsogas, pronë e një agjencie greke udhëtimi, kishte për destinacion Athinën. Në momentin e aksidentit, sipas hetimeve të kryera në atë kohë, autobusi nuk ka qenë me shpejtësi më shumë se 60 km/h dhe, nëse shoferi do të ishte treguar i kujdesshëm, ngjarja do të ishte evituar. Segmenti ku ndodhi aksidenti, është i asfaltuar, me gjerësi të bollshme dhe nuk paraqet rrezikshmëri për automjetet.                              m.r

© Panorama.al

Te lidhura