
FIER – Shoferi grek, që shkaktoi tragjedinë e Fratarit me 9 viktima, duhet të vuajë 18 vjet burg. Prokuroria e Fierit dha dje pretencën për Thoma Cogas, i cili ndodhej në timonin e autobusit të linjës së Athinës, kur ai u përmbys në afërsi të Ballshit, në një nga kthesat e fshatit Fratar, në nëntor të vitit të shkuar. Veç 9 viktimave, dhjetëra të tjerë u plagosën nga kjo ngjarje, pasi autobusi ishte i mbushur me pasagjerë që nga Tirana dhe rrethe të tjera kishin si destinacion shtetin grek. Në këtë seancë gjyqësore shoferi grek nuk ka qenë i pranishëm, por ka qëndruar në burgun e Rrogozhinës. Në emër të tij ai ka dërguar me prokurim palën mbrojtëse, përfaqësuar nga avokati Zenun Hajdarmataj. Trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtarët Nafije Curi, Taulant Banushi dhe Piro Sota kanë pasur përballë tyre dje palën mbrojtëse dhe palën e akuzës, me prokurorë Genci Mane dhe Çlirim Sino. Seanca ka zgjatur vetëm 30 minuta. Trupi gjykues u ka dhënë fjalën përfaqësuesve të akuzës, prokurorëve, të cilët kanë lexuar edhe pretencën. Ndërkohë përpara se të jepej pretenca është bërë një kronologji e të gjithë ngjarjes, duke u ndalur më hollësisht dhe në provat e ngritura për akuzën dhe shtetasin grek, drejtuesin e mjetit për tragjedinë e shkaktuar më 8 nëntor të vitit të kaluar. Në fund të fjalës së tyre, prokurorët kanë kërkuar nga trupi gjykues të marrin parasysh dhe provat e paraqitura si dhe kërkesën e prokurorisë për të dënuar këtë shtetas me 18 vjet burg për veprën penale të “vrasjes nga pakujdesia”, dënim që duhet të kryhet në burgjet shqiptare. Trupi gjykues caktoi një tjetër seancë gjyqësore në javën e ardhshme, për t’ia dhënë këtë radhë fjalën palës mbrojtëse për të paraqitur ajo në këtë seancë argumentet mbrojtës në diskutimin përfundimtar. Ngjarja e rëndë për të cilën akuzohet shtetasi grek ka ndodhur në 8 nëntor 2011 ku autobusi ra në një nga kthesat e fshatit Fratar në Mallakastër. Devijimi i autobusit ndodhi në orën 19.45 të datës 8 nëntor dhe mjeti përfundoi 100 metra poshtë në humnerë. Policia deklaroi se drejtuesi i mjetit ka qenë pa ndihmësin e vet, i cili në raste të udhëtimeve të gjata zëvendëson herë pas here shoferin e mjetit. Policia hodhi poshtë faktin se shoferi nga Janina mund të kishte konsumuar alkool, ndërkohë që edhe ekspertët në vendngjarje, të cilët kanë kryer verifikimet i qëndrojnë pistës së pakujdesisë për një moment të grekut. Nga kontrolli teknik i kryer në autobus pas aksidentit u pa se sistemi i drejtimit ishte në gjendje të rregullt. Policia deklaroi në ato ditë se shpejtësia e lëvizjes së automjetit në momentin e ndodhjes së aksidentit ka qenë rreth 60 km/orë dhe sistemi i frenimit i rregullt. m.r
Viktimat
Fredi Guma, 45 vjeç
Manushaqe Bali, 33 vjeçe
Refotaq Bashllari
Dhurata Halilaj, 45 vjeçe
Marjola Guma, 13 vjeçe
Nikollë Nina, 75 vjeç
Dallëndyshe Shuli
Afërdita Basha, 40 vjeçe
Karafil File, 35 vjeç











