Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi tha sot gjatë një konference për shtyp me gazetarët (22 maj) se rruga që po ndërtohet te mbikalimi i Rinasit, autostrada Tiranë-Durrës, do jetë pa pagesë.
Ai shpjegoi se për të gjitha investimet e financuara nga buxheti i shtetit nuk bëhet pagesë nga qytetarët për udhëtimet në rrugët e ndërtuara.
Karakaçi nënvizoi se punimet në autostradë vijojnë teksa dha lajmin se edhe mbikalimi aktual i Rinasit do të shembet dhe do të ndërtohet një i ri me 4 korsi, për të lehtësuar edhe më tej trafikun e rënduar që krijohet.
“Ne hapëm korsitë në drejtim të Rinasit dhe në drejtim të Tiranës kur vjen nga Durrësi që ishin 6 km e para. Patjetër që hinka krijohet përsëri, për çdo qytetar dhe për mua që kaloj në atë rrugë, por mund të theksoj se trafiku është shumë i ndryshuar. Kishim një problematikë me një mbikalim që na detyroi ta ngushtonim disi, në rrugën që çon për në Rinas, që u rregullua me ndërhyrjen e menjëhershme të ARRSH, duke e liruar, sepse atje është i bllokuar trafiku në dalje tanimë. Tjetra ne e dimë që është hinka që krijohet në mbikalimin e Rinasit, ajo çfarë mund t’ju them është se ne kemi në fuqi kontratën duke u zbatuar dhe çdo qytetar që kalon aty mund ta shikojë vazhdimin e punimeve pas mbikalimit të Rinasit. Pjesë e kësaj kontrate është shembja e mbikalimit të Rinasit, krijimi i një mbikalimi të ri me 4 korsi, dhe vazhdimi i korsive shtesë që janë duke u punuar dhe kjo do i japë një shfryrje më të madhe trafikut në Tiranë-Durrës”, tha ai.
I pyetur nëse do të ishte me apo pa pagesë, ministri u shpreh se:
“Përsa i përket çështjes që i referoheni me pagesë apo pa pagesë, për sa kohë që të gjitha këto financime janë duke u bërë nga buxheti i shtetit, patjetër ajo do të jetë pa pagesë”.
I pyetur për konfliktin e dy kompanive për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, Karakaçi sqaroi se ministria do të ndërhyjë për bërjen e saj operacionale në bazë të kushteve të kontratës dhe pa ndërhyrë në konfliktin civil mes palëve.
Por ai nuk dha një afat për përfundimin e punimeve, pasi shtoi se “mund të jepte një datë të gabuar”.
“Për aeroportin e Vlorës dua të theksoj se ka rëndësi strategjike dhe do marrim të gjitha masat e nevojshme që pavarësisht çdo mosmarëveshje civile që kanë dy palët private që janë pjesë e koncesionit, pavarësisht mosmarrëveshjeve, ministria do marrë të gjitha masat e nevojshme që lejon kontrata e koncesionit, që ta bëjë operacionale, për t’i futur në përputhje me kushtet e kontratës. Dhe patjetër që do veprojmë sipas asaj që ka legjislacionit në fuqi dhe kontrata koncesionare. E kam të pamundur në këtë moment që të them një afat se jemi në një fazë vlerësimi të kushteve të kontratës koncesionare dhe nuk dua të prononcoj ndonjë afat që mund të ishte i gabuar”, u shpreh ministri.
Karakaçi foli edhe për krizën e karburanteve pas luftës në Lindjen e Mesme dhe bllokadës në Ngushticën e Hormuzit.
Ai nënvizoi se Shqipëria nuk kërcënohet nga furnizimi në treg, për shkak se ka burime alternative të transportit të karburanteve në mbi 90% të aktivitetit dhe nuk varet nga Hormuzi.
Ministri garantoi furnizimin e tregut me naftë, teksa shtoi se qeveria ka lehtësuar edhe barrën e qytetarëve dhe transportuesve, si me akcizën, kontrollin e çmimit dhe ndihmën ndaj shoqatës së transportit publik.
“Situata në tregjet globale është dinamike, shumë shtete kanë hasur vështirësi sidomos ato që lidhen me furnizime nga Hormuzi, Fatmirësisht Shqipëria nuk bazohet në furnizimin e hidrokarbureve nga Hormuzi, mbi 90% e tyre vinë nga kanale alternative. Përsa i përket sigurisë së furnizimit vendi ka qenë i garantuar. Nga vlerësimi i grupeve të punës të ngritura me qëllim në kuadër të krizës, rezulton se nuk cenohet furnizimi me hidrokarbureve. Sigurisht qeveria e ka në ndjekje këtë situatë, sikurse me masat për uljen e akcizës apo me ndihmën ndaj shoqatave të transportit. Por për momentin nuk cenohemi nga mungesa e karburanteve”, tha ministri.
Kreu i Infrastrukturës shpjegoi edhe votimin e djeshëm në Parlament të kredisë 100 mln euro për ndërtimin e projektit “Porta e Alpeve”, që do lidhë Shkodrën me bregdetin e Lezhës dhe Velipojës e më gjerë deri në malësi.
“Ritheksoj vendimmarrjen e rëndësishme të Parlamentit për Portën e Alpeve, që lidhet me Shkodrën dhe Lezhën, financimin në zonën e veriut dhe kjo tregon vëmendjen që tregon qeveria ndaj veriut të vendit. Masë investimi që nuk e ka pasur asnjë qark tjetër në Shqipëri, që tregon vizionin që ka qeveria shqiptare për veriun dhe qarkun e Shkodrës”, tha ai.
Karakaçi foli edhe për rrugën problematike Milot-Balldre dhe zvarritjen e projektit, duke theksuar se deri nga fillimi i qershorit do përzgjidhet fituesi i kontratës dhe se ajo rrugë do të bëhej.
“Problematikë në atë zonë është rruga Milot-Balldren. Është vullnet i qeverisë për ta shndërruar në autostradë të Kategorisë A, për të lidhur edhe Kosovën por edhe zona të tjera të Shqipërisë, si dhe për t’i dhënë frymëmarrje Shëngjinit dhe bregdetit. Nuk ka ecur si duhet, jemi na fazën e vlerësimit të ofertave, brenda fundit të majit dhe fillimit të qershorit presim të shpallim edhe fituesin. E rëndësishme është të thuhet se po, rruga Milot Balldren do bëhet”, tha ministri.
© Panorama.al












