Rikonceptohet tërësisht një nga nyjat kryesore hyrëse në kryeqytet. Rrethrrotullimi i Doganës, i cili aktualisht është nga pikat me rëndesën më të madhe të trafikut, do të ketë sistem korsish të cilat do të ndihmojnë në qarkullimin më të mirë të automjeteve.
Bashkia e Tiranës ka vendosur të gjejë një zgjidhje të re për të evituar fluksin e automjeteve. Aktualisht llogaritet që çdo ditë të hyjnë e të dalin 25.000 automjete. Ekspertët kanë vlerësuar se gjeometria jofunksionale e rrethrrotullimit, ndalesat pa kriter të mjeteve në brendësi të tij dhe numri i lartë i automjeteve janë disa nga problemet që duhet të marrin zgjidhje. “Zgjidhja optimale e tij është kryqëzim me disnivel, por për një zgjidhje afatshkurtër dhe efikase, duke ditur se vetëm hyrjet në brendësi të rrethit me drejtim djathtas janë më të mëdha se 400 mjete në orë, vendosëm ta rikonceptojmë rrethin me sistemim korsish dhe me shtimin e një korsie për mjetet që do të qarkullojnë vetëm djathtas në tri drejtime”, sqaruan specialistët e Bashkisë së Tiranës.
Projekti që do të fillojë të premten, parashikon rikonceptimin e gjeometrisë së rrethrrotullimit të Doganës. “Rrethrrotullimi është konceptuar të funksionojë si rrugë me shpejtësi (40km/orë) me hyrje-dalje të disiplinuara, me 3 karexhata, të cilat kanë 3 vija kalimi 3 x 3.5 m, korsi në të djathtë 5m, si dhe ishuj trafiku me gjerësi 1 m”, sqaruan specialistët e Bashkisë. Sipas tyre, trotuaret janë parashikuar në pjesën e jashtme, në të gjithë gjatësinë e tyre me gjerësi 2 m. Gjithashtu do të zbatohet dhe projekti për sinjalistikën vertikale e horizontale dhe informuese, si në brendësi të rrethit, ashtu dhe jashtë tij. “Për rritje të sigurisë rrugore për kalimtarët do të vendosen kangjella kufizuese, që do do të bëjnë të mundur kalimin e tyre vetëm në vijat e bardha”, nënvizuan ekspertët. Ata sqaruan gjithashtu se do të ndalohet parkimi i të gjitha mjeteve në afërsi të rrethrrotullimit, 150 m në çdo drejtim hyrës dhe dalës. “Skema e qarkullimit të trafikut gjatë realizimit të punimeve mbetet e njëjtë pasi pjesa më e madhe e punimeve do të kryhet jashtë orareve të pikut”, thanë ekspertët.
ZIRINA LLAMBRO











