
Mersim Katuçi në Komisariatin e Matit: Policia të ndalojë kontrollin.
Hyn në fuqi ligji që i lejon EULEX-it të kryejë hetime autonome mbi trafikun e dyshuar të organeve në territorin shqiptar, ashtu si në Kosovë.
Presidenti Topi dekretoi dje ligjin nr.53/2012 “Për marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me Task-Forcen hetimore speciale të EULEX-it”, duke shpallur dhe hyrjen në fuqi të menjëhershme të tij. Me hapjen e rrugës zyrtare të hetimit, bazuar në raportin e Dick Marty për trafik organesh të ushtarëve serbë në Shqipëri, pritet që të mbërrijnë në vendin tonë specialistë të hetimit. Por, familja që banon në Gurrë të Matit, shtëpia e të cilëve identifikohet si një ndër bazat e kryerjes së këtij trafiku, kundërshton hapur që të vihen në qendër të hetimit. Familja Katuçi është e vendosur të mos lejojë një kontroll të dytë të hetuesve të huaj në banesën e tyre. Madje, dje Mersim Katuçi këtë vendim të familjes së tij ia ka bërë të ditur edhe policisë lokale. Mësohet se dje paradite Katuçi ka kontaktuar me shefin e Komisariatit të Matit, Asllan Shyti, dhe i ka shprehur shqetësimin e tij se është totalisht e padrejtë që hetues të huaj të kontrollojnë shtëpinë e tij në Gurrë të Vogël. Pas daljes nga Policia lokale, Mersim Katuçi pohoi për “Panoramën” se e ka njohur shefin e Komisariatit me problemin e mbartur nga viti 2004 dhe i ka kërkuar ndihmë që policia të vihet në dispozicion të kësaj familjeje që hetuesit e EULEX-it të mos shqetësojnë më tej familjen e tyre. “Me sa kuptova, – tha Katuçi, – numri një i Policisë nuk e njihte shqetësimin tonë, pasi ka ardhur vetëm pak ditë më parë në Burrel. Ai më dëgjoi më vëmendje. Ashtu siç thashë një ditë më parë për gazetën tuaj, edhe sot kërkova që askush të mos guxojë të vijë për kontroll, sepse së pari ne duhet të dëmshpërblehemi për dëmin e shkaktuar tetë vjet më parë dhe së dyti, juristë të njohur na janë shprehur se një kontroll tjetër nga hetuesit e huaj është antikushtetues, pra i paligjshëm”, theksoi Katuçi. Burime të sigurta informacioni saktësuan se shefi i Komisariatit të Burrelit, Asllan Shyti, e ka garantuar shtetasin Mersim Katuçi se gjithçka që mund të kryhet do të jetë e bazuar në ligj dhe do të bëhet e mirëstudiuar.
HASAN PASHA
© Panorama.al











