PRISHTINE- Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, ka deklaruar se shpreson se së shpejti do të fillojnë hetimet me të cilat do të konfirmohet e vërteta lidhur me pohimet e Dick Martyt për tregti organesh në Kosovë.
“Është në interesin e të gjithëve që të vijë deri tek e vërteta dhe atëherë do të sigurohet se drejtësia është e kënaqur”, ka thënë Ashton në një intervistë për televizionin rus “Russia Today”.
Ajo ka përkujtuar se ka vizituar Prishtinën dhe Beogradin dhe se është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.
“Ajo që e kemi bërë të qartë është se nëse ka akuza, duhet përgjigjur ndaj tyre”, ka thënë Ashton, duke shtuar se e vërteta duhet konfirmuar edhe nëse akuzat janë të rreme.
“Shpresoj se së shpejti do të shohim hetimin, me anë të të cilit do të vërtetohet e vërteta lidhur me këtë dhe nëse do të jetë e nevojshme disa njerëz do të dalin para organeve të drejtësisë”, ka theksuar kryediplomatja evropiane.
27 shtete anëtare të BE-së kanë vendosur që të ngrihet një Task Forcë e veçantë e cila do të merret me hetimet e akuzave që ish- senatori zviceran, Dick Marty, i ka bërë në raportin e tij për Këshillin e Evropës.
Krijimin e këtij mekanizmi e kanë konfirmuar edhe zyrtarët e misionit EULEX në Kosovë, të cilët thonë se pasi që hetimi përfshin një dimension ndërkombëtar, Task Forca do të jetë pjesërisht me seli në Bruksel.
Zëdhënësi i misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, Nikolas Hauton nëpërmjet një deklarate të lëshuar për media bëri të ditur se kjo Task Forcë, e përbërë nga prokurorë dhe hetues, do të punojë në hetimin preliminar që u fillua nga EULEX-i, më 27 janar të këtij viti.
Ndryshe janë bërë më shumë se gjashtë muaj nga publikimi i një raporti të anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dick Marty, i cili është në vazhdën e raporteve të cilat janë publikuar në 12 vjetët e fundit dhe që kanë pasur për qëllim njollosjen e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të udhëheqësve të saj.
Ndaj këtyre akuzave kanë reaguar krerët e institucioneve të Kosovës, subjekteve politike dhe shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, madje edhe drejtuesit e Shqipërisë dhe shumë miq të Kosovës anembanë botës. (Express)
© Panorama.al











