Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar në gjykatë sekuestrimin e disa pasurive të dy shtetasve shqiptarë të dënuar për trafik droge në Itali.Sipas burimeve gjyqësore, organi i akuzës pas hetimit pasuror ka kërkuar marrjen e masave të sekuestros për pronat e shtetasit Sokol Genica nga Fieri, i cili është akuzuar dhe është dënuar me dhjetë vjet burg për “trafik heroine” në Itali. Po kështu, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka bërë kërkesë në gjykatë për sekuestrimin e pasurive të shtetasit Vullnet Hoxha, nga Fieri, i akuzuar dhe i dënuar me 24 vjet burg për “trafik heroinë” në Itali. Pas dënimit me akuzën e “trafikut të drogës” në Itali, dy personat janë hetuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë. Shkak për hetimin janë bërë indiciet se dy të dënuarit në Itali i kishin transferuar në vendin tonë fitimet e arritura nga trafiku i drogës në vendin fqinj. Për këtë shkak, Prokuroria ka kërkuar që shtetasit Sokol Genica t’i sekuestrohet një automjet tip “Chrysler”, kamion. Ndërkohë që për shtetasin tjetër, Vullnet Hoxha, pasi është verifikuar se është pronar i dy restoranteve në qytetin e Fierit, është kërkuar të bëhet bllokimi i tyre.
Hetimi
Prokuroria e Krimeve të Rënda, ndërsa pret shqyrtimin e kërkesave të bëra në gjykatë, është duke kryer hetime mbi dyshimet se shtetasi Vullnet Hoxha, i dënuar me 24 vjet burg për trafik droge në Itali, është përfshirë në investime në hoteleri dhe turizëm në qytetin e Tiranës. Po kështu, për shtetasin Vullnet Hoxha Prokuroria ka dyshime se ka kryer transferta bankare në drejtim të Spanjës. Sipas akuzës dhe dënimit në Itali, ai ka kryer trafikimin e disa ngarkesave me drogë që janë kapur si më poshtë: në datën 11/08/2001, në lagjen “Giambellino” të Milanos është sekuestruar sasia prej 7.750 kg heroine, në datën 13/10/2001, në vendin e quajtur Ivrea, në autoveturën me targa FE 524726 është sekuestruar sasia prej 9.50 kg heroine, në autoveturën tip “Mercedes” me ngjyrë të zezë, me targa belge DQG 644, është sekuestruar sasia prej 5 kg heroine dhe në 09/11/2001 në rrugën “Vigevano” nr.9- Milano, është sekuestruar sasia prej 8.250 kg heroine. Ndërkohë, shtetasi tjetër, Sokol Genica, akuzohet se ka trafikuar ngarkesën, e cila në datën 28 prill 2000 është sekuestruar në Milano, 7 kg heroinë. Po ky shtetas është dënuar për drogat e kapura si më poshtë: në datën 26/07/2000, në Torino, ku është sekuestruar sasia prej 18.8 kg heroine, në datën 05 dhjetor 2000, në Torino, ku është sekuestruar sasia prej 10 kg heroine si dhe në datë 22 dhjetor 2000, ku është sekuestruar lëndë narkotike me vlere 69 485 000 lireta. tr.so











