Trafiku, 23 kamera sigurie monitorim 24 orë Tiranës

Jun 1, 2012 | 12:55
Basha e Boleli, dje gjatë firmosjes së marrëveshjes

Plot 23 kamera sigurie dhe monitorim 24 orë të lëvizjes së automjeteve në Tiranë. Qytetarët do të informohen nga tabela elektronike se në cilat pika fluksi i automjeteve është më i lartë. Gjashtë të tilla do të instalohen në pjesë të ndryshme të kryeqytetit. Të 51 nyjet e semaforëve do të pajisen me tru të ri elektronik, ndërsa 9 të tjerë do të instalohen në pika të ndryshme të kryeqytetit. Menaxhimi i trafikut do të bëhet në kohë reale. Duke ditur se ku ka më shumë ngarkesë do të ndërhyhet për të përmirësuar situatën. Sistemi i ri, i njëjtë me atë të kryeqyteteve evropiane, të cilat e kanë instaluar 4 vitet e fundit, do të mundësohet për herë të parë edhe në Shqipëri. Qendra e Kontrollit të Trafikut Urban, projekti më i ri nga Bashkia e Tiranës, nis zbatimin gjatë qershorit. Në një hark kohor prej 18 muajsh pritet përfundimi i qendrës, e cila do të rrisë sigurinë rrugore në kryeqytet. Marrëveshja që mundëson këtë projekt u nënshkrua dje, mes kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha dhe drejtuesve të kompanisë “Swarco Mizar” & “SCAE”, Alexander Swarovski dhe Alfredo Bolelli. “Ky sistem, në përfundim të tij do të jetë i barabartë në vlerat teknike me sistemet që edhe qytete të tjera të Europës, si Roma apo Vjena, kanë vënë në operim vetëm në 3-4 vitet e fundit. Menaxhimi në kohë reale, përmirësimi i fluksit të trafikut, përmirësimi i sigurisë, dhënia e përparësisë transportit publik, do të jenë disa nga përfitimet e menjëhershme që qytetarët e Tiranës do të kenë nga ky projekt”, tha Basha. Drejtuesi i kompanisë “Swarco Mizar”, Alexander Swarovski, ka vlerësuar projektet e zhvillimit të zotit Basha, të cilat sipas tij kanë tërhequr edhe vëmendjen e sipërmarrësve nga bota. “Qëllimi dhe fokusi ynë është t’i sjellim Tiranës një nga qendrat më moderne të kontrollit të trafikut, ashtu siç kemi bërë me shumë qytete të Europës”, tha drejtuesi i kompanisë “Swarco Miazar”, Alexander Swarovski. Projekti parashikon instalimin e gjashtë pajisjeve elektronike të përditësuara (tabela të mëdha). Ato do të njoftojnë drejtuesit e automjeteve mbi kushtet aktuale të trafikut, si dhe informacione të tjera të rëndësishme në lëvizjen brenda qytetit të Tiranës, në hyrje dhe në dalje të qytetit të Tiranës.

Qendra e trafikut
23 kamera sigurie

51 semaforë me tru të ri elektronik

9 semaforë të rinj

24 orë monitorim

Gjendet zgjidhja për ndeshjet
Punimet për parkimin nëntokësor në sheshin “Italia” nuk do të pengojnë zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me përfaqësuesin e Komitetit të Sigurisë dhe Stadiumeve në UEFA,  Jean-Francois Crucke, presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka dhe përfaqësues të Policisë së Shtetit, ku u është ofruar zgjidhja për vazhdimin e ndeshjeve në stadiumin kombëtar në parametrat dhe standardet e vendosura nga UEFA. Zgjidhja e ofruar është mirëpritur nga i dërguari i UEFA-s .

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura