Trafik droge nga Vlora në Itali, në gjyq emigranti dhe furnitori

Jul 16, 2012 | 13:34
Gjykata e Krimeve të Rënda

Tirane – Dy persona janë dërguar në gjyq nga Prokuroria e Krimeve të Rënda me akuzën e trafikimit të narkotikeve, lidhur me një ngarkesë droge prej 26 kilogramësh hashash të kapur në Portin e Vlorës në dhjetor 2011. Dosja penale është hetuar nga prokurori Behar Dibra. Shtetasi Julian Taraj, nga Vlora, emigrant në Itali, dhe personi tjetër po nga Vlora, Selim Likaj, të dy në masën e arrestit me burg, akuzohen për tentativën e trafikimit të drogës së bllokuar në port. Droga për të cilën akuzohen dy personat është kapur në datën 12 dhjetor 2011, rreth orës 10:11 në Portin e Vlorës. Në këtë kohë, makina që drejtohej nga Julian Tarja është kontrolluar në port, në pikën e kontrollit kufitar teksa tentonte udhëtimin drejt Italisë. Nga kontrolli, sipas hetimit, u gjet e fshehur në automjet sasia prej 26 kg e 170 gramë lëndë narkotike hashash, e ndarë në 83 pako. Makina, sipas hetimeve, rezultonte me targa italiane dhe emigranti po kryente procedurat e kontrollit për t’u imbarkuar në traget, për të udhëtuar drejt Italisë. Lënda narkotike u gjet e fshehur brenda tapicerive të dyerve, tavanit e poshtë tapicerisë së bagazhit të automjetit. Sasia e lëndës narkotike dhe automjeti u sekuestruan dhe i pandehuri Tarja u shoqërua në polici për t’u marrë në pyetje në lidhje me këtë ngjarje. Pas kapjes së drejtuesit të makinës, policia vazhdoi hetimet dhe me ndihmën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda u mësua se emigranti Julian Tarja e kishte porositur drogën nga Italia pasi kishte kontaktuar me shtetasin Selim Likaj. Edhe ky person është ndaluar menjëherë nga policia, duke treguar se pasi ka marrë porosinë për lëndën narkotike nga emigranti, e ka gjetur në pyll drogën në fjalë dhe të dy bashkë e kanë fshehur në makinë, në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë.

“E gjeta drogën në mal”
Pas shoqërimit në polici, i dyshuari për sigurimin e drogës, shtetasi Selim Likaj, ka dëshmuar se lëndën narkotike e kishte gjetur rastësisht rreth një muaj para ngjarjes në pyll ndërkohë që kulloste bagëtitë. Ai ka thënë se e kishte mbajtur të fshehur deri ditën që erdhi nga Italia shtetasi Julian Taraj, i cili kishte kërkuar lëndë narkotike.

© Panorama.al

Te lidhura