
Kërkon krijimin e një fondi special.
Avokati i Popullit: Banorët e Shkodrës s’janë dëmshpërblyer ende për pasojat e dhjetorit 2010.
Zvarritjet administrative për dhënien e dëmshpërblimeve banorëve të Shkodrës, si pasojë e situatës katastrofike që u krijua gjatë përmbytjes, ka shkaktuar reagimin e institucionit të Avokatit të Popullit.
Nëpërmjet një shkrese zyrtare, Igli Totozani i kërkon KESH-it të çelë fondin e parashikuar për dëmshpërblimin. Reagimi vjen pas ankesave të shumta të banorëve të përmbytur, të cilët kërkojnë të marrin paratë e premtuara nga qeveria. Në një letër dërguar drejtorit të Përgjithshëm të KESH-it, Engjëll Zeqo, në dijeni edhe të ministrit të Ekonomisë, Nasip Naço, Avokati i Popullit u kërkon zgjidhje të situatës duke dhënë edhe rekomandimin e tij. “Rekomandojmë alokimin e fondeve nga KESH në një llogari të veçantë të buxhetit të shtetit për dëmshpërblimin e banorëve të qarkut Shkodër në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave, nr.842, datë 06.12.2011 “Për miratimin e vlerës së kompensimit të dëmeve të shkaktuara në kulturat bujqësore e në biznese, nga reshjet e shiut dhe përmbytjet, në qarkun e Shkodrës”, thuhej në rekomandimin që mban firmën e Totozanit.
Sipas kësaj shkrese zyrtare, Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin e mësipërm, në të cilin përfshihet edhe lista e familjeve e subjekteve të biznesit të qarkut të Shkodrës, së bashku me shumën përkatëse të ndihmës për dëmet në kulturat bujqësore dhe në biznese. “Në pikën 3 të këtij vendimi parashikohet shprehimisht se fondi prej 1 112 303 342 lekësh të përballohet nga shuma në të njëjtën vlerë, që do të paguajë Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), në buxhetin e shtetit, në një llogari të veçantë. Avokati i Popullit ka shqyrtuar një numër të konsiderueshëm ankesash të banorëve të zonave të përmbytura, duke përfshirë edhe përfaqësues të subjekteve tregtare, si dhe kryefamiljarë të lagjeve të banuara në brendësi të qytetit të Shkodrës që u prekën nga përmbytjet e vitit 2010. Nga ankesat e parashtruara si dhe gjatë shqyrtimit të pretendimeve të tyre pranë organeve të administratës publike të përfshirë në këtë proces, ka rezultuar se banorët e prekur nga përmbytjet në qarkun e Shkodrës ende nuk kanë përfituar dëmshpërblimin e parashikuar për secilin në mënyrë nominale, duke parashtruar si argument kryesor mungesën e fondeve që duhet të ishin alokuar tashmë nga KESH, në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave”, thuhej në shkresën zyrtare të Avokatit të Popullit. Ndërkaq, në një tjetër shkresë që u drejtohet ministrave Bode e Nishani rekomandohet “Hartimi dhe paraqitja për miratim të udhëzimit të përbashkët në zbatim të kërkesave të pikës 4 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 842, datë 06.12.2011 “Për miratimin e vlerës së kompensimit të dëmeve të shkaktuara në kulturat bujqësore e në biznese, nga reshjet e shiut dhe përmbytjet në qarkun e Shkodrës”. eg.ni











