Totozani: Dua imunitet po aq sa Gjykata e Lartë

Jul 23, 2012 | 10:59
Igli Totozani

Avokati i Popullit, Igli Totozani, tha dje përmes një njoftimi për mediat, se ky institucion kërkon të ketë imunitet po aq sa ai i Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. “Avokati i Popullit kërkon trajtim të barabartë me institucionet e tjera të pavarura kushtetuese, që do të thotë se nëse sot ai ka imunitet të njëjtë me gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, të njëjtin trajtim duhet të ketë edhe me këto ndryshime kushtetuese. Në draftin e paraqitur, iu është kufizuar imuniteti deputetëve të Kuvendit të RSH, gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe gjithë gjyqtarëve të tjerë, ndërkohë që në projektligj është ndryshuar dhe propozuar t’u hiqet tërësisht imuniteti vetëm Avokatit të Popullit dhe kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit”, thuhet në njoftimin e Avokatit. Sipas Avokatit, ky institucion, gjatë ushtrimit të funksioneve dhe kompetencave të tij, ndërmerr veprime që u drejtohen organeve të administratës publike apo edhe organeve të sistemit të drejtësisë. “Për këtë arsye, mendojmë se mund të jenë të pashmangshme rastet kur mund të ketë presione arbitrare dhe të paligjshme të këtyre organeve, të cilat mund të sjellin cenim të funksionimit të veprimtarisë së këtij institucioni kushtetues”, thuhet në njoftim.

© Panorama.al

Te lidhura