FATOS HAKORJA
Nuk po arrija t’i përmblidhja në një fjalë të vetme dy javët e pushimeve të këtij gushti, ndaj m’u desh t’i qasem një loje fjalësh që u bë dhe titull i këtij shkrimi. Të bësh turizëm në Shqipëri është torturë, madje është pak të thuhet kur kupton se kjo është torturë ndaj vetes, e shkaktuar me vetëdije, e madje duke paguar kursimet e gjithë vitit për ta pësuar atë. Nuk di që një gjendje e tillë të jetë përkufizuar nga ndonjë studiues i psikanalizës. E gjithë kjo torturë turistike vërtitet rreth shërbimit, një prej elementeve më të rëndësishme për të pasur turizëm të mirëfilltë kur natyra të ka falur një bregdet përrallor, si ai i Jonit. Por, si në çdo përrallë, edhe kjo ka shtrigën dhe demonët e saj.
Duke nisur nga supermarketi i lagjes, shitësi të këshillon ta blesh kremin nxirës dhe atë të mbrojtjes kundër diellit, pavarësisht se ti i tregon që kanë skaduar prej vitit të shkuar. Ai ta kthen plot siguri e dashamirësi se “ato datat aty janë kot” e se ato “fare lehtë mund të trukohen, ndaj njësoj është”. E, nëse për shkak të adrenalinës së nisjes së pushimeve ke aq nerva sa t’i shpjegosh se ky lloj kremi tashmë jo vetëm nuk mund të të mbrojë, por mund të të dëmtojë keqas, ta kthen me një mënyrë komunikimi që ka për qëllim të të vërë në siklet, për ta pasuar fajin tek ti që “je nazeli”, e jo tek “këto ndodhi më se normale” jo vetëm në kohë pushimesh, por në 365 ditët e vitit, e madje edhe në vitin e brishtë.
Kot janë edhe ankesat për trafikun, sepse të marrësh mundimin t’i qahesh ndonjë polici rrugor që rri nën 35 gradë mes pluhurit dhe tymit të makinave, vlen sa një mëkat. Nuk mundet të të thotë asgjë, veçse t’i vërshëllejë bilbilit me gjysmë fryme, në një formë rënkimi të grahmave të fundit e të të tregojë rrugën përpara me tabelën që i është ngjitur pas dore nga pluhuri i kthyer në llum me ndihmën e djersës. Polici tjetër është tërësisht i zënë me “periskopin ndëshkues”, në pritje për të kapur ndonjë që udhëton jashtë limiteve të shpejtësisë, edhe aty ku nuk ka limite të përcaktuara për kilometra me radhë.
Pas orëve të udhëtimit herë mes trafikut e shumë herë të tjera mes rrezikut, vjen akomodimi. Në gusht, të gjesh rastësisht hotel është thuajse e pamundur.
Nëse nuk ke prenotuar në mënyrën shqiptare, pra përmes miqsh e të njohurish, gjetja e një strehe është fat i madh. Aq fat sa pati Jezusi kur, i sapolindur rrugës për në Nazaret, babai i shpëtoi jetën sepse dëgjoi rastësisht që mbreti Herod kishte dhënë urdhër të vriteshin të gjithë fëmijët nën 3 vjeç që gjendeshin në Betlehem.
Por, duke lënë hyjnoren dhe fatin në botën e shumë të panjohurave dhe duke iu kthyer akomodimit turistik në Shqipëri, duhet thënë se hotelet që mund t’i prenotosh online numërohen me gishtat e dorës.
Në Moskë, në panairin ndërkombëtar të turizmit, një qytetar rus, i tërhequr pas përshkrimit që po i bënte bregdetit shqiptar një punonjës i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, u habit në shkallë sipërore, duhet thënë, kur pas pyetjes se ku mund të gjente hotele me 5 yje, punonjësi i tha se në 362 kilometra vijë bregdetare, një prej më të veçantave në zonën e Mesdheut, kishte vetëm një të tillë.
Turizmi familjar ofron kushte të tjera, ndryshe nga luksi i sforcuar i disa hoteleve dhe mjerimi i pjesës tjetër. Pas Llogorasë, dhomat nisin nga ato me divane 9–mijësh, të prodhuar para se të lindja unë, e përfundojnë me ato të industrisë përpunuese të tallasheve, të Fushë – Krujës.
Nuk bëhet fjalë për çarçafë, jastëkë, peshqirë, sapunë e shampo, ndonëse çmimi i dhomës është i njëjtë me atë të një hoteli me 3 apo edhe me 4 yje në vende të tjera që ofrojnë turizëm detar në Jon, Adriatik apo Mesdhe. Por kulmi arrin kur pronari i shtëpisë, pas qindra kilometrash që ke bërë me makinë e dhjetëra pyetjeve për të arritur te dhoma bosh, nëse ti i kërkon diçka më tepër se katër muret e lyera rastësisht dikur, ta kthen vëllazërisht nga fjalët e mizorisht nga sjellja: “Po deshe, vëlla. Po s’deshe, ka të tjerë që presin”. Të tjerët nuk janë në një mendje si unë. Konica thoshte se “më e lehtë është të mbledhësh një thes me pleshta, se të bësh dy shqiptarë në një mendje”.
Nga Llogoraja në Ksamil, ku syri sheh veç perla që natyra ia ka falur pa kurrfarë mundimi Shqipërisë, në shërbim të turizmit janë vënë edhe mjaft hotele me një kat funksional e dy të tjerë me tulla e llaç.
Disa ngrihen në krah të gërmadhave të ndërtesave të shembura vitin e shkuar, mes inerteve ende të pambledhura që tashmë ngjajnë me skelete të zhvarrosura. Nuk mungojnë edhe hotelet e përfunduara, të paktën në fasadë, sepse te dhoma ngjitur asaj tëndes mund të punohet ende.
Recepsionisti i hotelit të parë që ti zgjedh nuk të tregon se nuk ka ujë të ngrohtë. Kur ti e zbulon, ta kthen me natyrshëm se “ç’e do, or burrë, se ngrohtë është”, mes paturpësisë e naivitetit, a thua se nuk e dimë tashmë fare mirë se të dyja këto janë si virgjëria, që po e humbe, nuk kthehet. E kur i thua se je me fëmijë të vogël e se bashkëshortja vuan nga sinusiti, atëherë ky naiv i stërvitur, i ndjeshëm ndaj pakënaqësive të klientëve po aq sa bujarët e rospihaneve ndaj frekuentuesve të tyre të dëshpëruar, shndërrohet në solidar me hallet e tua: “Aha, nuk është hotel për ty, por di një tjetër që ka ujë të ngrohtë, vetëm se do të të kushtojë 30 euro më shumë”. Tek ai që të kushton sa gjysma e pensionit të babait më shumë gjen ujë të ngrohtë, por të nevojitet akull, shumë akull, për të freskuar kokën gjatë natës. Është gati të të plasë nga nxehtësia që i kanë sjellë zhurmat e pambarimta të muzikës së lokaleve, qoftoreve, mejhaneve e mariuha-neve që kanë rrethuar nga të katër anët hotelin që të shkonte aq për shtat pasdite, në harmoni me ëndrrën tënde për të pushuar paqësisht në këtë bregdet të mrekullueshëm.
Një mik më thoshte se pronari i një hoteli ku kishte paguar 40 mijë lekë për një dhomë me kushte minimale, në një plazh jo aq të frekuentuar, i kishte kërkuar para të tjera që t’i jepte pultin e kondicionerit.
Gastronomia shqiptare është e preferuar për shkak të prodhimeve bio, bollëkut dhe egërsisë në mënyrën e të gatuarit (peshku, në mbi 90% të restoranteve, shifra duhet thënë se nuk është e mbështetur në ndonjë studim, të shërbehet vetëm në skarë apo i skuqur në vaj, ndonëse ekzistojnë dhjetëra mënyra të tjera të gatimit të tij). Por, teksa gjendesh përpara këtyre të mirave që njeriu e perëndia krijuan për të kënaqur shqisën e shijimit dhe për të shuar babëzinë e stomakut, nëse diçka nuk shkon me pjatën që ke zgjedhur, ndodh e papritura e dytë veç surprizës së pakëndshme me ushqimin e porositur: “Po hë, mor burrë, se kjo është më e mirë”, të thotë kuzhinier–kamerieri kur ti i thua se nuk kishte porositur atë që ai të ka sjellë.
Një kënaqësi më pak e një qejf i prishur më shumë, por ndodh edhe më keq. Ndodh që edhe të shahen deri në brezin e shtatë përgjegjës imagjinarë të këtyre situatave të pakëndshme, që për të thënë të vërtetën, i has secili prej nesh çdo ditë, në secilin prej restoranteve, nga Velipoja në Ksamil. Kështu i ngjau një furrxhiu të shkretë kur i tregova kamerierit të një hoteli të ri e plot luks të Sarandës, se buka që më kishte servirur karshi reçelit dhe qumështit të mëngjesit, ishte e mykur. Furrxhiu, që atë bukë duket ta kishte pjekur nja 10 ditë më parë, kushedi sa do jetë ligështuar me gjithë nëmat që i lëshoi kamerieri i hotelit, emrin e të cilit, pra atë të hotelit, nuk ia vlen ta përmendim, sepse nuk e konsiderojmë me rëndësi për këtë shkrim.
Nëse një nga ditët e pushimeve të bregdetit vendos t’ia kushtosh turizmit kulturor, duhet të gjesh ca lidhje të mira me ata që janë punësuar për të menaxhuar Butrintin, Finiqin, Beratin, Bylisin e çdo vend tjetër arkeologjik, që të të sigurojnë ndonjë ciceron apo ta mbajnë derën çelur në orarin që janë të detyruar ta mbajnë. Drejtuesja e një agjencie turistike të njohur në Shqipëri më tregonte sa me shqetësim e ironi, aq edhe trishtim ngaqë i ishte dashur të pajtohet me një realitet anormal, se paguante para nën dorë te përgjegjësi i njërës prej këtyre pasurive të paçmuara të trashëgimisë kulturore që t’i jepte çelësin e këtij thesari, pasi ai e kishte të pamundur të kryente detyrën e tij para disa dhjetëra turistëve të huaj. Ai, për një arsye apo njëmijë të tjera, pa ndonjë lek nën dorë, nuk e mbante hapur muzeun që rrëfente për bëmat e ilirëve, pasardhësve tanë fisnikë që fatmirësisht nuk jetuan në kohët e korrupsionit.
E keqja është kërcënim sistematik për të mirën dhe e mira për të, si temjani për djallin. Ndaj, tortura turistike shqiptare mund të mbahet për ca kohë larg mendjes nëse pas këtyre ditëve të lodhshme vendos që edhe ti, ashtu si çdo qytetar i Europës në perëndimin tënd, t’i bësh pushimet në një vend me traditë në turizëm. Heqja e vizave, që ende na duket ëndërr, na i ka bërë gjërat më të thjeshta. Me pak euro në xhep nisesh për në Korfuz, një mrekulli e pushtuar çdo verë nga italianë, anglezë, francezë, danezë, finlandezë, e ketë vit edhe nga mijëra shqiptarë. Dy katamaranë me kapacitet afro 140 vende nisen çdo ditë nga Saranda dhe për 30 minuta e gjen vendin në ishullin e mrekullive turistike. Nga Sidari në Kavos, nga Paleokastritsa në Kerkyra, plazhet kanë pothuajse aq nur, sa ato të Rivierës shqiptare, diku më të bukur e diku tjetër natyra nuk është treguar aq bujare sa në anë të Jonit.
Por këtu gjithçka ndryshon, që nga polici rrugor që ke mall ta shohësh në rrugë, deri te recepsionisti i stërvitur për pafytyrësi. Sapo vendos këmbën në derën e ndonjë lokali, restoranti, agjencie turistike që ofron dhoma me qira apo në recepsione hotelesh, gatishmëria e të gjithë punonjësve të këtij rrjeti shërbimesh për të të bërë klient të tyre duke të të joshur përmes asaj çka mundet realisht të të ofrojnë, të shkëput nga realiteti i trishtë i vendit që jeton nga koha kur ke lindur.
Gjithkush të pret plot dashamirësi dhe bën të mundur që të mos largohesh pa e vënë re buzëqeshjen e tij, si shenjë jo vetëm mirësjelljeje njerëzore, por edhe respekti e përgjegjshmërie ndaj biznesit që menaxhojnë, tashmë shumëvjeçar.
Por ja që edhe ditët e bukura marrin fund shpejt dhe i vihesh rrugës së purgatorit drejt vendit tënd, aty ku bashkohen e ndahen ferri i shërbimeve me parajsën natyrore.
Teksa pret biletën e tragetit, nis të ndjesh një lloj kënaqësie që të shndërrohet në pak sekonda në krenari kombëtare, teksa sheh që një agjenci udhëtimi greke është tërësisht në dispozicion të një kompanie lundrimi shqiptare, që çuditërisht mban emrin e një popullsie primitive pellazge të mijëvjeçarit të 7–të para Krishtit, të vendosur në Damask. Kjo ndjesi e mirë nis të fitojë terren edhe ndaj stresit që të krijon mendimi për të gjitha hallet që përmendëm më sipër me turizmin shqiptar, që nga polici rrugor e deri te roja i çelësave të hotelit.
Harron edhe vonesat e tragetit, edhe trajtimin aspak normal të doganierëve fqinjë. Por, kur pritja hyn në një rrugëtim kohor pa ndalesë, krenaria rreshtohet kah halleve. Katamarani shqiptar nuk niset për shkak të motit të keq, por vetëm ai shqiptar, se të gjithë të tjerët, nga Igumenica në Pire, nga Brindizi në Venecia, zhduken në det pa më të voglën vonesë. Me dhjetëra shqiptarë e po aq të huaj që duan të vizitojnë edhe perlën turistike të Jonit mbeten si jetimë.
Fenikasi lundrues i ka mbyllur dyert dhe 140 pasagjerët e linjës Korfuz – Sarandë nuk dinë ç’të bëjnë. Një gruaje, që s’ka më fuqi t’i mbulojë rrudhat e moshës, nuk i kanë mbetur më shumë se 5 mijë lekë, veç biletës. Nuk e di se ku e kaloi natën, sepse as Fenikasi i lashtë shqiptar, zotërues absolut i kësaj linje dhe as agjencia greke nuk dhanë zgjidhje. Një çift i ri u nis të shiste aparatin fotografik të sa e sa kujtimeve për të siguruar paratë për hotelin.
Unë, pas 24 orësh udhëtimi, përmes Igumenicës dikur shqiptare e sot e paqme me çdokënd dhe ndërrimit të disa taksive, i dhashë fund torturës sime turistike pa u ndalur më në gjiret e Llamanit, Jalit, Himarës, Livadhit e Dhërmiut. Mërzia triumfoi mbi tundimin për t’u humbur edhe ca ditë të tjera mes këtyre bukurive përrallore, aq tërheqëse edhe këtë vit për të huajt, të cilët, nëse nuk do të dimë t’i mirëpresim, zor se do të rikthehen!











