Toros dhe Ervini harrojnë ofendimet ndaj njëri-tjetrit dhe shoqërohen të dy me Ermelën

Jun 18, 2011 | 13:15

Ermela u bë shkak i konfliktit të tyre në publik dhe ajo është prapë arsyeja që i bën të harrojnë çdo ofendim që kanë shkëmbyer përballë apo në distancë ndaj njëri-tjetrit. Dy ish-konkurrentë të “Big Brother 4”, Toros dhe Ervin, duket se i kanë harruar inatet e krijuara ashtu si pa dashur, ndërsa kanë filluar të shihen sërish bashkë, ashtu siç bënin para ndarjes së përkohshme të çiftit Ermela dhe Ervin. Paparaci ynë i ka fotografuar në natën finale të “Dancing with the stars”, ndërsa bashkë me ta ka qenë dhe Jonela, e ulur në radhët e publikut, duke ndjekur spektaklin nga studio e “Vizion Plus”. Duket se edhe për shkak të tipave jo konfliktualë si të Torosit, ashtu dhe Ervinit e po ashtu për natyrën plot humor të Ermelës, ata i janë rikthyer shoqërisë së tyre të fillimit. Pa dyshim që akujt mes tyre ende nuk janë shkrirë plotësisht, por e rëndësishme është që tashmë e kanë harruar inatin e krijuar pas një konflikti të fortë që ndodhi në Vlorë dhe largimit të Ervinit në Londër. Pas sherrit mes çiftit, Ermela po shoqërohej vetëm me Toros, pasi edhe ftesat për koncerte i merrnin të dy bashkë. Ndërkohë që me kthimin nga Londra të Ervinit, ata u pajtuan në ditëlindjen e Jonelës, ku u fotografuan si çift dhe rinisën bashkëjetesën e tyre në Tiranë.
Direkt ata u nisën për pushime në Velipojë dhe Shëngjin, së bashku me Mirjetën, ku realizuan disa foto intime ndërsa pozonin gjithë qejf edhe më të dashuruar se më parë. Tashmë, ata po argëtohen me sa munden, ndërsa po bëjnë plane për pushime të tjera në Itali. Kjo është një periudhë udhëtimesh dhe planifikimesh për ta, ndërsa nuk dihet ende se çfarë planesh konkrete kanë për jetën e tyre profesionale. Ermela për momentin po shijon lidhjen, duke mos preferuar të flasë më në media për jetën e saj. Një nga ambiciet e fitueses së “Big Brother 4” është t’i hyjë botës së televizionit, sipas një projekti të përfunduar tashmë me Torosin. Ndërkohë që ndër pasionet e saj është dhe muzika, por ende nuk dihet nëse  shumë shpejt do të realizojë klipin e saj të parë, siç është dëgjuar të flitet mes miqve të saj.

© Panorama.al

Te lidhura