TIRANË- Angazhim serioz për studim cilësor, komunikim dhe shkëmbim eksperiencash si një kusht për ecjen e vendeve në rrugën integruese. Këtë mesazh ka ndarë kreu i shtetit, Bamir Topi gjatë një takimi me përfaqësues të parlamentit rinor të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Topi ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm edukimin e rinisë në Shqipëri dhe Kosovë, sepse është vecori e vendeve tona me popullsi të re.
“Kjo jep shanse që duke iu drejtuar këtij kontigjenti të bëjmë të pamundërën që ata të arsimohen, formohen, të kemi universitete cilësore, sepse vetëm përmes njerëzve të ditur të formuar, jo njerëzve sipërfaqësorë, ne do të kemi të ardhme të garantuar në sfidat e integrimit”- tha Topi.
Sipas Topit, standardet që duhet të arrijnë vendet nuk janë thjesht të natyrës politike.
Duke pranuar se sot ka raste të nepotizmit dhe suporteve të pamerituara, Topi ka theksuar se brezi i ri duhet të edukohet dhe formohet plotësisht dhe të punohet në mënyrë që ai që është më i kualifikuari të jetë më i kërkuari.
“Kualiteti i brezit të ri sot na ofron shërbime të kualifikuara nesër. E ardhmja e brezit të ri është e garantuar nga pikëpamja e sfidave të politikave institucionale, ndërkohë që pjesa tjetër varet nga ju. Studim, seriozitet dhe komunikim mes jush, sepse ka nevojë për frymë koperimi, sepse përmes tij dalin defektet dhe shkëmbehet eksperienca”- këshilloi Topi.
© Panorama.al











