Topi: Të përmbushim reformat për në BE

Jun 1, 2011 | 10:24

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, takoi lordin britanik Riçard Best, me të cilin ndau arritjen dhe reformat që duhet të bëjë Shqipëria për integrim në BE. Sipas Topi, Shqipëria duhet të përmbushë reformat. “Pas anëtarësimit të vendit në NATO, Shqipëria gjendet përballë një tjetër sfide, të cilën ne kemi bindjen se do e përmbyllim me sukses, sfidën e integrimit në Bashkimin Europian. Ne jemi të vetëdijshëm për reformat dhe standardet që duhet të përmbushim në këtë drejtim, po aq sa besojmë në mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë për t’ia arritur këtij qëllimi”, tha Topi. Lordi Best e informoi Presidentin lidhur me projektet rajonale për të zgjeruar rrjetin e kërkimeve shkencore dhe për t’u dhënë mundësi studentëve shqiptarë dhe nga vendet e tjera ballkanike që të përfitojnë bursa studimi në universitetet britanike.

“Venecia, pas Kolegjit Zgjedhor”

Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, deklaroi dje se janë institucionet shqiptare ato që do të japin vendimin mbi ligjshmërinë e votave të numëruara, të cilat ishin hedhur në kuti të tjera. I pyetur nga mediat mbi alternativën e Komisionit të Venecias, kreu i Punëve të Jashtme u përgjigj se janë institucionet shqiptare ato që duhet të vendosin fillimisht. “T’u japim kohën institucioneve shqiptare të shprehen, pasi ato janë kompetente, janë kushtetuese dhe të afta për të dhënë vendimin e tyre mbi këtë çështje”, tha Haxhinasto.

© Panorama.al

Te lidhura