Topi: Sulmet, të pamoralshme

Jul 29, 2011 | 9:54

Presidenti Bamir Topi reagon ashpër pas deklaratës së Kryeministrit se ai tashmë është bërë palë me kreun e PS-së, Edi Rama.
Pak orë pasi Berisha përsëriti edhe njëherë faktin se e provoi anësinë e tij teksa votoi për Ramën në zgjedhjet e 8 majit, Kreu i Shtetit ka
hedhur poshtë çdo akuzë përmes një komunikate për shtyp. “Presidenti i Republikës, zoti Bamir Topi, ka qenë, është dhe do të jetë tërësisht
në funksionin e tij kushtetues, jashtë çdo ndikimi dhe angazhimi direkt apo indirekt të partive politike. Çdo përpjekje apo aludim tjetër që
tenton ta pozicionojë politikisht Presidentin, është e gabuar, spekulative dhe e pamoralshme”, thuhet në deklaratën e publikuar në faqen
zyrtare të Presidencës. Më tej, thuhet se kohët e fundit Kreu i Shtetit është gjendur përballë sulmeve të padenja, por nuk ka reaguar për hir të stabilitetit
demokratik. Këtë e konfirmojnë edhe apelet që ia ka bërë për zgjidhjen e
krizave.
APELI I TOPIT
“Përgjatë muajve të fundit, Presidenti Topi ka qenë objekt i sulmeve të tilla të
padenja dhe denigruese, por me përgjegjësinë për nevojën e stabilitetit demokratik në vend, ai ka refuzuar të bëhet pjesë e kësaj loje, e cila ka të
njëjtët aktorë dhe të njëjtat sjellje apolitike prej më shumë se një dekade. Për Presidentin gjithnjë ka mbizotëruar prioriteti publik – nevoja që
politika shqiptare të reflektojë nga gabimet e saj të përsëritura dhe me pasoja direkte për interesat kushtetuese dhe kombëtare të qytetarëve tanë.
Për këtë qëllim, përmes apeleve publike, takimeve dhe korrespondencës zyrtare me institucionet politike e kushtetuese, Presidenti ka nxitur
aktorët politikë të reflektojnë përgjegjshmëri dhe vullnet politik për zgjidhjen e krizave dhe situatave penalizuese për qytetarët dhe vendin”,
thuhet më tej në njoftimin për mediat.

SULMET
Sipas tij, “në kohën kur Presidenti, ashtu si shumica e qytetarëve tanë dhe vetë partnerët ndërkombëtarë kanë qenë e janë në pritje të
këtij reflektimi politik dhe masave konkrete, fatkeqësisht sjellja politike mbetet e njëjtë. Individë e institucione politike që kanë detyrë të zbatojnë
Kushtetutën dhe ligjet, në mënyrë sistematike ia lejojnë vetes të krijojnë situata të paqena, të shpikin vota dhe kundërshtarë politikë, të krijojnë
tension artificial midis qytetarëve dhe institucionit të Kreut të Shtetit, si dhe të tërheqin vëmendjen nga nevoja jetike që ka vendi për
reforma të prekshme dhe rezultate konkrete në përmbushjen
e standardeve të anëtarësimit në Bashkimin Europian”.

VOTA E PRESIDENTIT
Kreu i Shtetit i është rikthyer edhe një herë votimit të tij më 8 maj. Ai e ka cilësuar sërish të inskenuar debatin dhe komentet se votën e ka hedhur
në kutinë e gabuar. “Presidenti Topi ka refuzuar dhe refuzon të bëhet pjesë e këtij debati shterpë e të inskenuar dhe siç e ka deklaruar edhe më parë, votimi i tij më 8 maj ka qenë korrekt. Çdo tentativë për interpretimin e votës nuk lidhet me atë mënyrë votimi, por me përgjegjësinë ekskluzive
të administrimit partiak të votave, si dhe me skenarët e parapërgatitur nga autorë të këtyre inskenimeve”, vijon më tej deklarata e Kreut të Shtetit.
Lidhur me debatin e ditëve të fundit për ndryshimin e Kushtetutës, Topi thekson se “nuk dëshiron të jetë pjesë e këtij debati dhe se qëndrimet e tij i
ka bërë të njohura në kohë, ditë përpara votimit parlamentar të 21 prillit 2008, kur interesat politike të momentit dominuan nevojën për institucione
funksionale e të qëndrueshme demokratike, të bazuara në parimin kushtetues
të ndarjes dhe të balancës së pushteteve”.               ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura