Topi: Sulmet ndaj meje, të padenja e denigruese

Jul 28, 2011 | 16:17

Pas komenteve të kryeministrit, Sali Berisha lidhur me pozicionin e presidentit, Bamir Topi, ka reaguar ky i fundit duke i quajtur komentet si, aludime të gabuara, spekullative dhe të pamoralshme.

Në një deklaratë të zyrës së informacionit të presidentit Topi, thuhet se “përgjatë muajve të fundit presidenti Topi ka qenë objekt i sulmeve të tilla të padenja dhe denigruese, por me përgjegjësinë për nevojën e stabilitetit demokratik në vend, ai ka refuzuar të bëhet pjesë e kësaj loje, e cila ka të njëjtët aktorë dhe të njëjtat sjellje apolitike prej më shumë se një dekade”

Presidenti ka nxitur aktorët politikë të reflektojnë përgjegjshmëri dhe vullnet politik për zgjidhjen e krizave dhe situatave penalizuese për qytetarët dhe vendin, thuhet më tej në deklaratë, pasi për presidentin ka mbizotëruar gjithnjë prioriteti publik.

Në vend të një rëflektimi politik, të cilin e pret jo vetëm presidenti por edhe të gjithë qytetarët e Shqipërisë, fatkeqësisht sjellja politike mbetet e njëjtë, thuhet në deklaratë.

“Individë e institucione politike që kanë detyrë të zbatojnë kushtetutën dhe ligjet, në mënyrë sistematike ia lejojnë vetes të krijojnë situata të paqëna, të shpikin vota dhe kundërshtarë politikë, të krijojnë tension artificial midis qytetarëve dhe institucionit të kreut të shtetit, si dhe të tërheqin vëmendjen nga nevoja jetike që ka vendi për reforma të prekshme dhe rezultate konkrete në përmbushjen e standardeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”- theksohet në deklaratë.

Më tej sqarohet edhe njëherë se votimi i presidentit më 8 maj ka qenë korrekt, ku sipas tij, çdo tentativë për intepretimin e votës nuk lidhet me atë mënyrë votimi, por me përgjegjësinë ekskluzive të administrimit partiak të votave si dhe me skenarët e parapërgatitur nga autorë të këtyre inskenimeve.

Lidhur me ndryshimet kushtetuese, presidenti Topi deklaron se nuk dëshiron të jetë pjesë e këtij debati dhe se qëndrimet e tij i ka bërë të njohura në kohë ditë përpara votimit parlamentar të 21 prillit 2008, kur interesat politike të momentit dominuan nevojën për institucione funksionale e të qëndrueshme demokratike, të bazuara në parimin kushtetues të ndarjes dhe të balancës së pushteteve.

Më herët gjatë një konference për shtyp të kryeministrit Berisha lidhur me situatën në Kosovë, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve per ndryshimet Kushtetuese të kërkuara nga opozita, kryeministri u shpreh; “Presidenti do të zgjidhet tërësisht në përputhje me kushtetutën dhe jo në interesin tim e as të qeverisë, por të rendit kushtetues dhe të qytetarëve. Të kërkosh ndryshime kushtetuese se do ta fusësh presidentin në gjysmë xhepi ndërkohë kur e ke plotësisht në xhep e s’të jep asgjë, më thuaj sa racionale është kjo. Gjerat duhet të kenë thelbin e arsyes, çfarë i dha, 140 mijë vota më pak, me gjithë votën e tij pro”

© Panorama.al

Te lidhura