
Kreu i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, akuzoi ashpër nga qyteti i Lezhës Kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e PS-së, Edi Rama. Teksa mori pjesë në hapjen e degës së FRD-së në këtë qytet, ish-kreu i shtetit tha se Kryeministri po e çon vendin në diktaturë, ndërsa lideri i opozitës po sheh ëndrra si Kryeministër. “Funksioni i Parlamentit ka dalë nga normaliteti dhe institucionet janë vendosur njëra pas tjetrës nën varësinë e Kryeministrit. Maxhoranca nuk qeveris sepse nuk ka mbështetje dhe as projekte konkrete. Opozita ka tendencën prej vitesh të bëjë opozitë, por fatkeqësisht ajo nuk po e realizon misionin e saj. Të dy së bashku, kreu i maxhorancës dhe i opozitës, brenda një nate bënë ndryshime fatale në Kushtetutë. Dhe tani njëri është penduar thellë dhe tjetri ka azurpuar të gjitha pushtetet. Ne nuk u kemi absolutisht asnjë borxh”, tha Topi. Sipas tij, “FRD nuk është në shërbim të askujt përveç të qytetarëve. Kryeministri ka pasur një karrierë të gjatë në sistemin komunist dhe që pas 22 vitesh vijon të shfaqë mentalitete e sjellje komuniste, duke i bërë një dëm të madh politikës, qytetarëve dhe vendit”. Më tej ai garantoi një politikë ndryshe, një politike të re që bazohet në program të konsultuar dhe me pjesëmarrje qytetare, një parti moderne të hapur dhe të kundërt me modelin e mbyllur të partive të vjetra, si dhe ftoi qytetarët të mos frikësohen përpara asnjë presioni, por të flasin me zë të lartë dhe të marrin pjesë në procesin e ndryshimit historik.











