
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dhe zonja e Parë Teuta Topi u pritën dje në Jerusalem nga Presidenti izraelit, Shimon Peres. Presidenti shqiptar është në Jerusalem si pjesëmarrës në konferencën e katërt presidenciale “Përballja me të nesërmen” Temë e bisedimeve në takimin zyrtar mes dy krerëve të shteteve dhe delegacioneve respektive ishin marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe vullneti reciprok për t’i çuar përpara edhe në të ardhmen. Në këtë drejtim, Presidenti Topi vlerësoi si një moment të veçantë hapjen e Ambasadës së Izraelit në Shqipëri, e cila do të ofrojë mundësi të drejtpërdrejta për zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve në sektorë me interes të ndërsjellë, si dhe për forcimin e miqësisë historike dhe tradicionale mes dy popujve e vendeve tona. Presidenti Topi përshkroi mundësitë e shumta dhe legjislacionin lehtësues tatimor që ofron Shqipëria, “tashmë një anëtare e NATO-s dhe në pritje të marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE”, duke vënë në dukje se burimet e shumta natyrore të vendit tonë mund të jenë me mjaft interes për investitorët izraelitë në fusha si agro-industria, infrastruktura, teknologjia e informacionit, bioteknologjia, kërkimi shkencor, turizmi etj.
Nga ana e tij, Presidenti i shtetit të Izraelit, Shimon Peres, pasi vlerësoi pjesëmarrjen për herë të dytë të Presidentit Topi në konferencën e katërt presidenciale në Jerusalem, vuri në dukje se Shqipëria është një vend mik dhe lidhjet tradicionale midis dy vendeve janë të vjetra e të konsoliduara, duke bërë që edhe marrëdhëniet bilaterale të jenë shumë të mira. Kreu i shtetit të Izraelit theksoi se “roli i Presidentit Topi, si simbol i bashkimit të popullit dhe kontributi i tij pozitiv e moderator për transformimin dhe arritjet e Shqipërisë, është për t’u admiruar dhe vlerësuar”. Presidenti Topi vuri në dukje klimën e favorshme që ekziston në Shqipëri për tërheqjen e investitorëve të huaj. Në këtë pikë, Presidenti izraelit Shimon Peres u shpreh se “inkurajon investitorët izraelitë të rrisin praninë e tyre dhe të shikojnë mundësitë për investime në Shqipëri”.
Konferenca presidenciale
Presidenti i Republikës mori pjesë dje në konferencën presidenciale “Përballja me të nesërmen”, që u zhvillua në Jerusalem, së cilës iu drejtua me një fjalim me temë: “Ekonomia botërore – a do të përkeqësohet para se të përmirësohet?”. Konferenca e katërt presidenciale në shtetin e Izraelit mblodhi personalitete të shquara botërore në politikë, ekonomi, industri, shkencë dhe teknologji, arte dhe kulturë, intelektualë dhe udhëheqës fetarë, si dhe përfaqësues të brezit të ri të udhëheqësve në fushat e tyre respektive nga anembanë bota.











