Topi: PD-PS s‘pyetën për Kushtetutën

Aug 24, 2011 | 10:31

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, foli dje nga Himara mbi debatin për ndryshime të mundshme në Kushtetutë dhe reformën zgjedhore.Pas një vizite në Bashkinë e Himarës dhe komunat bregdetare, Topi u shpreh se për ndryshimet e vitit 2008, partitë e mëdha nuk morën asnjë mendim nga Presidenca. “Presidenti nuk do të futet për asnjë moment në çështjen e debatit mbi ndryshimet kushtetuese. Presidenti, duke respektuar pozicionin e tij, e ka të drejtën nëse kjo del në planet e partive politike për ta diskutuar, për t’u shprehur në momentin e fundit me dekretin e tij. Por, edhe në retrospektivë, edhe kur partitë politike kanë vendosur që të bëjnë ndryshimet kushtetuese, ju siguroj që nuk e kanë pyetur Presidentin”, tha Topi. Gjithsesi, kreu i shtetit theksoi se kjo nuk do të thotë që në të ardhmen, nëse ka diçka konkrete nga debati i ndezur politik, të mos mbajë një qëndrim institucional mbi ndryshimet e mundshme. “Kjo nuk do të thotë që në të ardhmen Presidenti të mos mbajë qëndrimin e tij institucional, konstitucional. Pra, është në të drejtën e partive politike për ta mbajtur të gjallë debatin, ose jo, është një çështje e tyre. Por, ajo që unë do të jepja si një apel edhe njëherë shumë të fortë, është nevoja, domosdoshmëria për të bashkëpunuar. Nuk mund të shkojmë në Europë pa dhënë në mënyrë të qartë idenë që shqiptarët, klasa politike, partitë politike, dinë të bashkëpunojnë dhe dinë të prodhojnë jo vetëm ligje, por edhe marrëveshje, edhe detyrime që vijnë nga raporti i Komisionit Europian”, tha Presidenti. I pyetur për një vlerësim të tij lidhur me situatën aktuale politike dhe raportin e fundit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet, kryetari i shtetit shqiptar vuri në dukje që partitë të marrin seriozisht mundësinë e një reforme zgjedhore. “Kemi vlerësuar me nota shumë realiste raportin e OSBE/ODIHR-it, dhe ajo shkon në vijueshmëri të të gjitha apeleve që janë dhënë vazhdimisht për politikën shqiptare. Unë nuk dëshiroj të merrem më me komente, sepse këto komente kanë qenë shumë të qarta në raport, por do të dëshiroja t’i kujtoja politikës shqiptare, në radhë të parë politikës parlamentare, që sezoni që presim është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Shqipërinë, sepse ka të bëjë me nevojën jetike për një bashkëpunim të domosdoshëm midis pozitës dhe opozitës”, deklaroi Presidenti.

Topi: Himara, pasuri e paçmueshme e trashëgimisë sonë kombëtare

Topi dhe Goro

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje një vizitë pune në bregdetin jugor të Shqipërisë, u ndal në veçanti në Bashkinë e Himarës, ku u prit nga bashkiaku i ri, Jorgo Goro. Në prani edhe të personaliteteve të zonës, Topi u shpreh se Himara është pjesë e trashëgimisë sonë të paçmueshme kombëtare. “Mikpritja dhe krenaria himarjote tashmë janë të njohura për të gjithë ne, ndërkaq që Himara vetë gëzon statusin e një ndër perlave të Rivierës shqiptare me bukuritë e saj natyrore, historike e tradicionale. Janë pikërisht këto vlera, të cilat duhen ruajtur e kultivuar vazhdimisht si një pasuri e paçmueshme e trashëgimisë sonë kombëtare”, tha Topi. Në takimet e zhvilluara me kryetarin e Bashkisë e me Këshillin Bashkiak të qytetit, Presidenti Topi shprehu urimet për suksese në detyrat që, si kryetari i ri i Bashkisë, ashtu dhe Këshilli Bashkiak i porsakonstituuar, kanë qëllimin të realizojnë në këtë mandat katërvjeçar të qeverisjes vendore. Ndërkaq, Presidenti vizitoi dhe komunën e Lukovës, ku u mikprit nga kryetari i komunës, Vladimir Kumi dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor. Gjatë takimit të zhvilluar me zotin Kumi, Presidenti Topi u njoh me mbarëvajtjen e punëve në komunën e Lukovës në këtë periudhë të sezonit turistik, por dhe me disa prej synimeve të mëtejshme të qeverisjes vendore për të ardhmen në kuadrin e zhvillimit të gjithanshëm të kësaj zone. Presidenti Topi shprehu besimin dhe inkurajimin e tij për përfaqësuesit e pushtetit vendor në realizimin me sukses të projekteve të tyre për zhvillimin e zonës, e cila gëzon burime të panumërta natyrore, piktoreske dhe natyrisht burime njerëzore.                               sh. d

 

HIMARE/ QEMAL BIRAKU

© Panorama.al

Te lidhura