
TIRANE- Presidenti i Republikës është shprehur sot optimist lidhur me marRjen e statusit kandidat nga ana e Shqipërisë. Gjatë një takimi me Ministrin e Jashtëm dhe të Integrimit Evropian të Malit të Zi, Milan Roçen, Presidenti Bamir Topi u shpreh se Shqipëria “ka arritur të përmbushë standardet kryesore për anëtarësimin në BE, por në të njëjtën kohë jemi të vetëdijshëm se sfidat që duhet të përballojmë, janë ende të mëdha”.
Sipas tij, pavarësisht debateve politike që ekzistojnë në vend, klasa politike dhe shteti shqiptar janë të fokusuar dhe maksimalisht të angazhuar ndaj politikave madhore të integrimit.
Si pasojë e këtyre politikave, Topi theksoi se kjo na bën të jemi optimistë që marrja e statusit kandidat nga Shqipëria për në BE do të ndodhë në një moment kohor të afërt.
Nga ana e tij, ministri Roçen vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa nënvizoi rolin moderator të Shqipërisë edhe rolin konstruktiv personal të Presidentit Topi në funksion të përmirësimit të klimës dhe frymës së mirë të bashkëpunimit politik mes udhëheqësve rajonalë.
© Panorama.al











