Topi ngushëllon familjen e ish trajnerit, Medin Zhega

Jun 13, 2012 | 12:36

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka shprehur ngushëllimet dhe dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të ish-futbollistit të shquar dhe trajnerit të paharrrueshëm të Kombëtares shqiptare, Medin Zhega. Nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, presidenti Topi i shpreh ngushëllimet familjes, ndërsa vlerëson se Medin Zhega do të mbetet i gdhendur përjetë në kujtesën tonë për vlerat e tij të rralla njerëzore e qytetare, si dhe për talentin mjeshtëror dhe dijet e vlefshme sportive, me të cilat drejtoi me dinjitet e krenari Kombëtaren tonë të futbollit.

Mesazhi i plotë i Presidentit Topi

Me keqardhje dhe hidhërim të thellë mësova lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të Dinit tuaj të shtrenjtë dhe njëkohësisht njërit prej sportistëve dhe trajnerëve më të spikatur të futbollit modern shqiptar! Në këto momente fatkeqësie dhe dhimbjeje të thellë për humbjen e njeriut tuaj të dashur e të pazëvendësueshëm, dëshiroj t’ju gjendem shpirtërisht pranë, duke ju shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta!

Dje u nda nga jeta futbollisti i talentuar dhe trajneri i përkushtuar e i nderuar, i cili ia kushtoi gjithë jetën me devotshmëri e profesionalizëm sportit dhe edukimit e drejtimit të brezave të rinj të futbollistëve, duke mbetur i gdhendur përjetë në kujtesën tonë për vlerat e tij të rralla njerëzore e qytetare, si dhe për talentin mjeshtëror dhe dijet e vlefshme sportive, me të cilat drejtoi me dinjitet e krenari Kombëtaren tonë të futbollit.

I bindur se Dini dhe jeta e vepra e tij do të mbeten gjithnjë mes nesh dhe se mirënjohja dhe respekti për të nuk do të shuhen kurrë duke e vlerësuar jo vetëm si një futbollist virtuoz, si një njeri zemërgjerë dhe shembull për të gjithë ne që kemi patur fatin ta njohim nga afër e të përjetojmë me të momente të veçanta e mbresëlënëse, duke duartrokitur e vlerësuar dhuntitë dhe vlerat e tij njerëzore dhe sportive, edhe një herë më lejoni të ndaj me ju dhimbjen e thellë për këtë humbje të pazëvendësueshme!”

© Panorama.al

Te lidhura