Topi ngushëllon familjarët e shkrimtarit të shquar shqiptar, Sulejman Krasniqi

Jul 17, 2011 | 13:10

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi I ka shprehur ngushellimet e tij familjarëve të shkrimtarit të shquar shqiptar, Sulejman Krasniqi, i cili ndërroi jetë dje në Tiranë në moshën 74-vjeçare.

Mesazhi i plotë

“Të nderuar familjarë të të ndjerit Sulejman Krasniqi,

Me dhimbje mësova për lajmin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit me origjinë nga Kosova dhe njërës prej penave më të shquara të letërsisë sonë moderne, i cili me talentin e rrallë dhe krenarinë e paepur kombëtare la gjurmë të pashlyeshme në letrat shqipe të katër dekadave të fundit!

Më lejoni që t’ju shpreh ngushëllimet më të ndiera e të sinqerta! Në këto momente të vështira për humbjen e njeriut tuaj të shtrenjtë, ndaj me ju jo vetëm hidhërimin, por edhe vlerësimin më të lartë për personalitetin e spikatur të Sulejmanit në fushën e letërsisë, për vlerat e jashtëzakonshme njerëzore si dhe për përpjekjet e angazhimin shumëvjeçar të tij në shërbim të ruajtjes e përçimit të vlerave historike kombëtare, të fitimit të lirisë së Kosovës dhe lartësimit të imazhit të kombit shqiptar. Duke ju gjendur shpirtërisht pranë në këtë çaste të rënda, shpreh besimin se jeta dhe vepra atdhetare e Sulejman Krasniqit do të mbeten përherë të gdhendura me respekt e krenari në kujtesën e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!” – theksohet në mesazhin e Kreut të Shtetit shqiptar

© Panorama.al

Te lidhura