Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje një takim me kreun e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Etore Sekui, ku shprehën shqetësimin e përbashkët për tejzgjatjen e përfundimit të këtij procesi. Presidenti Topi, pasi vlerësoi deklaratat e fundit të Baroneshës Ashton, Komisionerit Fyle dhe konkluzionet e ministrave të Jashtëm të BE, ndau me Ambasadorin Sekui të njëjtin qëndrim të palëkundur se: “Në këtë situatë, është e domosdoshme nisja e menjëhershme e dialogut politik mes palëve dhe rivendosja e bashkëpunimit produktiv institucional”, duke theksuar gjithashtu se kjo do të ishte dëshmia më e mirë e maturisë që klasa politike mund t’i japë popullit të saj dhe bashkësisë ndërkombëtare për angazhimin dhe vullnetin real për zgjidhjen e ngërçit politik në vend. Kryetari i Shtetit u shpreh se vetëm zgjidhjet institucionale të ardhura përmes dialogut politik dhe marrëveshjes në respekt të Kushtetutës, ligjit dhe institucioneve të pavarura në vend, do t’u shërbente interesave të qytetarëve shqiptarë dhe aspiratës së tyre për një të ardhme sa më të afërme në familjen europiane. Presidenti Topi theksoi në këtë takim pune se Bashkimi Europian vlerësoi maksimalisht qytetarët shqiptarët dhe sjelljen e tyre.











