Topi: Mbështes rrotacionin

Jul 24, 2012 | 10:59

Presidenti Bamir Topi u është drejtuar dje qytetarëve me një mesazh, i cili është i fundit nga pozicioni që ai mbajti për pesë vjet. Në fjalët e para të këtij mesazhi, kreu i shtetit në detyrë u shpreh se gjatë mandatit të tij është përpjekur të jetë President i të gjithë shqiptarëve. “Gjatë pesë viteve të fundit kam pasur nderin dhe privilegjin e veçantë të shërbej si President i Republikës. Në ushtrimin e kësaj detyre jam përpjekur me të gjitha forcat dhe energjitë për të mbajtur premtimin e dhënë në betimin tim, për të qenë Presidenti i të gjithë shqiptarëve dhe për të vepruar me ndershmëri dhe mbi vlera qytetare”, shprehet kreu i shtetit. Sipas tij, në këto pesë vite Presidenca është përballur me fushata denigruese dhe etiketime të njëanshme, por, siç shprehet ai, zgjodhi të lërë mënjanë konfliktet. “Gjatë mandatit tim jam ndeshur me pritshmëri më të mëdha nga publiku, me kërkesa të shumëllojshme dhe shpesh kundërshtuese, me kritika të drejta e të padrejta, me fushata denigruese apo etiketime të njëanshme. Me ndërgjegje zgjodha të lë mënjanë modelet e konfliktit formal dhe të dëgjoj e trajtoj me të gjithë seriozitetin e duhur të gjitha mendimet, kërkesat dhe kritikat racionale, duke ofruar zgjidhje kushtetuese për gjithçka që përbën interes qytetar, publik e shtetëror”, thekson Topi. Presidenti në detyrë veçon përfaqësimin e Shqipërisë në anëtarësimin në NATO, pritjen e qytetarëve për problemet e tyre, partneritetin me SHBA-të dhe BE-në si dhe lobimin për pavarësinë e Kosovës. Ai nuk ka lënë pa falënderuar edhe familjen, stafin në Presidencë si dhe të gjithë ata me të cilët ka bashkëpunuar në këto pesë vite. Pjesë e mesazhit të Topit është edhe presidenca e Bujar Nishanit. “Shqipëria e ka zgjedhur tashmë Presidentin e ri. Unë e uroj publikisht Presidentin për sukses e mbarësi dhe i ftoj të gjithë qytetarët, aktorët politikë dhe institucionet të jenë në mbështetje të vullnetit për përmbushjen e detyrave të tij kushtetuese! Shqipëria ka nevojë për stabilitet demokratik, për unitet dhe ikje nga ndasitë politike përjashtuese, për dialog e bashkëpunim, për reforma dhe forcim të institucioneve kushtetuese, për politika të urta, të mira dhe qytetare dhe, në këtë rrugë, ka nevojë për kontributin dhe fjalën e gjithsecilit, për më shumë mirëqenie dhe demokraci cilësore e funksionale”, shprehet kreu i shtetit. Sipas tij, “i ndërgjegjshëm për këto nevoja dhe vlera demokratike, mbetem në mbështetje të plotë të rotacionit demokratik, energjive dhe prurjeve të reja në krye të shtetit, në institucione, në parti politike dhe në sistemin politik përfaqësues. Shqipëria dhe qytetarët e saj meritojnë më shumë. Postet politike e shtetërore shkojnë e vijnë, por qytetarët dhe shteti, interesat e tyre publike e kombëtare, janë e mbeten aty si pasuria më e madhe, burimi më i madh frymëzues, arsyeja më e madhe për ta kuptuar shërbimin ndaj tyre si privilegj dhe fat”.

Topi dekoron Ardian Klosin si “Mjeshtër i Madh”

Ardian Klosi

Presidenti Bamir Topi ka dekoruar dje Ardian Klosin (pas vdekjes) me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”. Motivacioni që ka shoqëruar këtë dekorim është “Intelektualit të shquar antikonformist që ia kushtoi gjithë veprimtarinë e tij si publicist, studiues, veprimtar shoqëror, krijues e përkthyes çështjes së demokracisë në vend, duke e konsideruar atë si rrugën drejt drejtësisë shoqërore, së vërtetës, moralit e progresit, ndaj dhe refuzoi deri në fund të jetës kompromisin me atë lloj politike që i bie ndesh këtij qëllimi”. Në të njëjtën kohë, me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” Topi ka dekoruar ish-sportistët e njohur në ekipit të Tiranës, Selman Stërmasi, Adem Karapici, Skënder Halili, Fatmir Frashëri, Ali Mema, Petrit Dibra, Arben Minga dhe Agustin Kola, ndërsa ekipi bardheblu është dekoruar me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Dekorohet diplomati  Shaban Murati
Topi dekoroi diplomatin dhe publicistin Shaban Murati me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”. Ceremonia e rastit u zhvillua në Presidencë dhe në motivaciacionin e dekorimit thuhej: “Për shërbimin e çmuar që i ka bërë shtetit shqiptar në veprimtarinë e tij si diplomat dhe si njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, veçanërisht ato rajonale, duke i vënë dijet dhe aftësitë e tij në mbrojtje të çështjes shqiptare dhe të forcimit të imazhit e pozitës së vendit tonë në boten e jashtme”. Shaban Murati është prej 12 vitesh analist i çështjeve ndërkombëtare në “Gazetën Shqiptare”.

© Panorama.al

Te lidhura