Topi: Lini debatin politik, duhet të flasin specialistët

Feb 16, 2012 | 11:16

Presidenti Topi me banorët e komunës Temal

Presidenti në Temal të Shkodrës: Jeta e qytetarit, më e rëndësishmja.

“Parashikimin e motit e kanë në dorë meteorologët”

Presidenti Bamir Topi ka apeluar dje nga komuna Temal në Shkodër për t’i dhënë fund debatit në distancë mes politikanëve. Ai kërkoi që vëmendja të përqendrohet te menaxhimi i situatës për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në nevojë. “Pa dyshim, dimri ka qenë i pazakontë dhe të gjithë së bashku duhet që në një moment të tillë të vështirë ta lëmë debatin politik të ditës, por të merremi me një organizim, që është në radhë të parë në shërbim të jetës së qytetarit. Nuk ka gjë më të rëndësishme në një vend të lirë e demokratik se sa jeta e qytetarit, siguria e jetës së tij. Pastaj, debati për çështje edhe të këtij karakteri do të vazhdojë. Do të vazhdojë sepse është e natyrshme që të vazhdojë”, u shpreh kreu i shtetit gjatë takimit me përfaqësuesit e njësive të prekura nga bora. Sipas tij, në këtë periudhë duhet bashkëpunim i fortë dhe komunikim mes të gjitha strukturave si në nivel qendror, ashtu edhe atë vendor. “Do të doja t’u shmangesha parashikimeve që mund të bëjë një politikan në një institucion, për t’ua lënë në dorë specialistëve, strukturave të specializuara, të cilat jo vetëm e kanë si një detyrim ligjor, por kanë të gjitha mundësitë e mjetet për të parashikuar edhe si do të jenë kushtet e motit, sepse vërtet bora ka rënë, por parashikimin e motit e kanë në dorë meteorologët. E kanë pastaj në dorë për ta përpunuar në funksion të misionit të tyre inxhinierët e institucioneve të ndryshme për të koordinuar mirë me punë e tyre me punën e baseneve të hidrocentraleve, sepse jemi këtu në Koman dhe fjala ime shkon edhe për mënyrën e menaxhimit të baseneve të hidrocentraleve”, u shpreh më tej Topi. Gjatë vizitës në Shkodër, kreu i shteti pa nga afër edhe Hidrocentralin e Komanit, ku u takua me drejtuesit dhe inxhinierët. Gjatë takimit ai u informua në detaje mbi gjendjen emergjente, për projektet dhe procedurat e hartuara kryesisht nga specialistë të kësaj fushe, si dhe për masat konkrete që janë marrë për përballimin e situatës. “Shpreh vlerësimin tim edhe në retrospektivë, sepse ju keni qenë mjaft profesionalë për menaxhimin e shumë situatave shumë të vështira. Erdha këtu për t’ju takuar, por edhe për të parë nga afër situatën. Dëshiroj të theksoj se në çdo rrethanë duhet të mbizotërojë mendimi i specializuar, mendimi i ekspertizës dhe dikastereve të specializuara”, theksoi më tej kreu i shtetit.

RIDVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura