Topi: Kolegji të japë vendim të paanshëm e pa ndikim politik

Jul 6, 2011 | 10:02
Topi e Volfarth

Një ditë para vendimit të Kolegjit Zgjedhor, Presidenti Bamir Topi ka pritur në zyrën e tij kreun e Prezencës se OSBE-së në Tirane, ambasadorin Eugen Volfarth. Sipas një njoftimi për shtyp të zyrës së kreut të shtetit, thuhet se partitë duhet të presin me qetësi vendimin e trupës gjykuese dhe Kolegji të mos ndikohet politikisht. “Presidenti theksoi nevojën e përmbylljes së procesit të zgjedhjeve vendore të datës 8 maj 2011 sipas ligjeve në fuqi dhe pritjes me qetësi nga të gjitha palët të gjykimit përfundimtar, të paanshëm e të pandikuar politikisht nga ana e institucioneve të pavarura ligjore përkatëse, në këtë rast të Kolegjit Zgjedhor, që do të thotë fjalën e fundit në lidhje me këtë proces të stërzgjatur”. Në këtë pikë, presidenti Topi dhe ambasadori Volfarth vunë në pah nevojën për nisjen sa më shpejt të punës me konsensus dhe dialog ndërpartiak për reformimin e Kodit Zgjedhor në fuqi dhe përmirësimin e mangësive të tij aktuale. Sipas njoftimit të Presidencës, ambasadori Volfarth “shprehu mbështetjen e vendosur për presidentin Topi dhe për apelet e tij të vazhdueshme që bëjnë thirrje për respektimin e shtetit të së drejtës dhe ligjeve në fuqi, duke theksuar nevojën e rivendosjes së dialogut institucional e funksional demokratik”. Presidenti dhe ambasadori i OSBE-së ndanë të njëjtin shqetësimin përsa i përket mosshpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve vendore, duke vënë në dukje se “në këto momente duhet të funksionojë vetëm ligji dhe shteti i së drejtës në mënyrë që të zbatohen standardet e vërteta të drejtësisë e të demokracisë më të konsoliduar perëndimore”.

© Panorama.al

Te lidhura