Presidenti: Ministria e Mbrojtjes të kontrollohet.
“Ka njerëz që duan të konsumojnë edhe ajrin, të pangopur në marrjen e pushteteve”
Presidenti Bamir Topi flet për akuzat e PS-së për tregtinë e armëve dhe përgjimet e opozitës nga SHIU. Në një intervistë për emisionin “5 pyetje nga Babaramo” të gazetarit Ilir Babaramo në News 24, ai tha se në fund të gushtit do të marrë vendimin për të hyrë në politikë.
Po flitet shumë për një tregti armësh që vazhdon ta kryejë Ministria e Mbrojtjes. Ju, si komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, keni informacion?
Presidenti merr një informacion të rregullt zyrtar për të gjithë aktivitetin e Ministrisë së Mbrojtjes. Është detyrim ligjor dhe shumë rigoroz për dhënien e informacionit. Duke respektuar edhe konfidencialitetin në një raport shumë special që ekziston mes institucioneve, edhe për shkak se ne jemi vend anëtar i NATO-s, mund të them se disa informacione janë të rezervuara dhe u takojnë personave institucionalë, por edhe personave që janë të certifikuar për të marrë një informacion konfidencial të kësaj natyre. Nga ana tjetër, është e drejtë e patjetërsueshme e komisioneve parlamentare, e deputetëve, për të kërkuar informacion nga institucioni. Edhe këtu ka një rregull. Në rast se njeriu parlamentar nuk është i pajisur me certifikatë, mund të pajiset me certifikatë. Në rast se dikush e ka këtë certifikatë, ka të drejtë të informohet. Një komision që survejon dhe monitoron punën e Ekzekutivit, ka aksesin për të marrë informacion, por ai duhet të jetë në kushte të sigurisë së lartë.
Kush duhet ta japë këtë certifikatë pasi Komisioni është ai që kontrollon Ministrinë?
Ka një detyrim të Ekzekutivit për të informuar Legjislativin, komisionin përkatës, i cili është Komisioni i Sigurisë Kombëtare. Brenda kësaj ka marrëdhënie të karakterit teknik, por ky informacion nuk duhet të mungojë për anëtarët e Komisionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Ju thatë që keni informacion në tregtinë e mundshme të armëve që bën Ministria e Mbrojtjes. A ka ndonjë gjë që nuk shkon?
Unë marr informacion, por ka mekanizma që monitorojnë. Ato janë ligjorë, sikurse është kontrolli jo vetëm nga struktura brenda Ekzekutivit, por janë edhe struktura kontrolli të mekanizmave parlamentarë që ne i thamë. Unë, sot, për shkak edhe të pozicionit dhe konfidencialitetit, disa gjëra i sjell këtu, por gjërat e tjera i takojnë punës së institucioneve. Kjo marrëdhënie mes institucioneve është jetike, është e domosdoshme për të qetësuar gjërat dhe për të hequr çdo lloj aludimi që mund të dalë në media.
Sot shefi i opozitës shprehu shqetësimin se SHIU përdoret edhe për të përgjuar opozitën. Ju duket e ekzagjeruar, apo ka vend për panik?
E thënë nga kryetari i opozitës, merr një peshë të rëndësishme. Ai e ka thënë para parlamentarëve, e ka thënë në publik para medias, i takon atij të japë shpjegime rreth këtij momenti.
Si do t’i cilësonit marrëdhëniet me Berishën?
Thellësisht formale në planin institucional.
Kanë arritur në një pikë të tillë, siç ishin para pesë viteve, apo “kurrë mos thuaj kurrë”?
Në rast se do t’i shkojmë këtij parimi, nuk kemi pse e shprehim sot, por fakti që janë në këtë pikë thellësisht formal në planin institucional, tregon që në këto marrëdhënie ka pasur probleme.
Çfarë ka ndodhur? Kur ka qenë momenti që ka ndodhur kjo çarje?
Nuk e kam bërë ndonjëherë një analizë, sepse nuk kam dashur të harxhoj kohë kot me këto analiza, se si ndodhi, apo qysh ndodhi, për gjëra që nuk janë më në vullnetin tim. Fakti që ka pasur pozicionime të qarta politike tregon që diçka e karakterit politik ka qenë në mes.
Si do të merreni me politikë: si Gandi që s’kishte asnjë funksion partiak, që jepte idetë e tij, apo do të jeni aktiv?
Mos më mendoni si njeri që nuk di çfarë është politika? Ka qenë një karrierë e gjatë, e suksesshme, dhe mbi bazën e kësaj karriere kam një perceptim të qartë për mënyrën se si realizohet politika. Por, para se të vij në atë vendimmarrje, të cilën e kam paralajmëruar si një probabilitet për të qenë në politikë, kërkohet që pas ikjes nga posti i Presidentit një kohë minimalisht e nevojshme për reflektim me miqtë më të mirë, më të mençur, me eksperiencë, për t’u konsultuar dhe vendimmarrja finale për atë që do të pasojë në karrierën time politike do të jetë fundi i gushtit ose ditët e para të shtatorit.
Do të jeni aktiv në politikë? Nuk do t’i bashkoheni Meidanit dhe Moisiut?
Po u fute në futboll për të luajtur, o futu me fuqitë për të qenë aktiv, ose mos u fut fare. Ky është parimi im.
Me çfarë fanelle do të hyni? Nga njëra anë është fanella rozë, nga ana tjetër fanella blu.
Fatmirësisht nuk vuaj nga daltonizmi që ta kem të kufizuar spektrin. E kam kualitetin e shikimit njësoj sikur e kam pasur në gjimnaz, i dalloj shumë mirë ngjyrat dhe kam disa ngjyra të preferuara.
Cila është e preferuara juaja?
Ngjyra e detit është ngjyrë shumë e preferuar e imja.
A ndodhemi në të njëjtën situatë si në Greqi, ku bipartizanizmi po ezaurohet?
Ka njerëz që duan të konsumojnë edhe ajrin që konsumon ti, janë të pangopur në marrjen e pushteteve. Një njeri që është i respektuar me një pozicion të caktuar, që aspiron një demokraci evropiane, funksionale, gjërat me koshiencë i mban në balancë. Një ministër që fillon dhe e bën listën e administratës sipas preferencave të tij, shkojnë edhe marrin vesh deri në lagje si dikur Froni Demokratik, me kë është çfarë preference ka, njeriu i kujt është dhe ka 1 mijë mënyra, hiqe dhe zëvendësoje. Ky është një politizim i rrezikshëm i administratës dhe askush nuk ngre zërin. Nuk ka as sindikata. Disa përfaqësues të shoqërisë civile joshen me fonde, sikurse ndodh edhe me disa media.
Në 2013 duhet të ketë rrotacion në Shqipëri?
Unë nuk jam Kasandra, por në parim gjithmonë ka nevojë për rrotacion elitash. Brezi i ri të mos jetë thjesht konsumator i ligjëratave të X apo Y, ka nevojë të futet në politikë dhe politika nuk është thjesht politika ideologjike apo politika që lidhet me pozicione ministrash. Këtu kemi gabuar ne që të gjithë bëjnë karrierë për të mbajtur një pozicion, ndërkohë që njerëzit që merren me politikë duhet ta ndajnë këtë gjë. Dikush merret me politikat ekonomike, me politikat institucionale.











