Topi: Italia, partnere parësore për Shqipërinë

Aug 7, 2011 | 10:52

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje një takim me kreun e rajonit të Pulias, Nikola Vendola, me të cilin bisedoi mbi rritjen e bashkëpunimit. Ventola, një figurë politike e njohur në Itali, tha në takimin me kreun e shtetit se “Bashkimi Europian nuk është i plotë pa Tiranën”. Më tej Vendola theksoi lidhjet që e lidhin Pulian me Shqipërinë, që, sipas tij, janë të vjetra dhe shekullore. “Kemi më shumë konfidenca me shqiptarët se me vetë Shqipërinë si vend. Janë pranë sepse Shqipëria ka nevojë për Pulian dhe kështu edhe ne, për shkak të shkëmbimeve tregtare, ekonomike, turistike, kulturore, por edhe për rindërtim të pasurisë së këtyre dy vendeve”, theksoi Vendola në takim me Presidentin shqiptar, Topi. Presidenti shqiptar shprehu mirënjohjen për ndihmesën e vazhdueshme të Italisë dhe vlerësimin e lartë për marrëdhëniet e shkëlqyera tradicionale dhe historike mes dy popujve tanë, duke e konsideruar Italinë si një partnere shumë të rëndësishme strategjike. Në këtë takim, kreu i shtetit shqiptar, pasi vuri në pah arritjet dhe ndryshimet pozitive të Shqipërisë në drejtim të integrimit europian, duke vlerësuar edhe ndihmesën e çmuar të Italisë në këto procese, nënvizoi nevojën për intensifikim të mëtejshëm të shkëmbimeve tregtare-ekonomike në fusha, si: energjetika, turizmi, bujqësia etj. Presidenti vuri në dukje kushtet dhe mundësitë shumë të mira që ofron vendi ynë me rritjen e tij ekonomike dhe sistemin e favorshëm fiskal për investime të huaja. Njëkohësisht, Presidenti Topi ripërsëriti ftesën për investitorët italianë që të rrisin akoma edhe më tepër praninë e tyre në Shqipëri. Sipas njoftimit zyrtar për shtyp, Presidenti i rajonit të Pulias, Nikola Vendola, pasi vuri në dukje se vizita të tilla të nivelit më të lartë thellojnë e forcojnë marrëdhëniet e shkëlqyera dhe bashkëpunimin dypalësh, theksoi nevojën e rritjes të shkëmbimeve tregtare e ekonomike të partneritetit në fusha të ndryshme si ajo shëndetësore, të energjisë, të bujqësisë, turizmit, shkëmbimeve arsimore, shkencore dhe kulturore. “Pjesëmarrja jonë në këtë veprimtari nuk është rastësore, por është shprehje e një miqësie të sinqertë e tradicionale jo vetëm për shkak të afërsisë gjeografike dhe lidhjeve kulturore, por, mbi të gjitha, nga fakti se Italia është për ne shqiptarët një partnere parësore strategjike, politike, ekonomike dhe më gjerë, një aleate e natyrshme në rrugën drejt së ardhmes europiane”, ka thënë Topi gjatë vizitës së tij në Itali.

© Panorama.al

Te lidhura