
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje në Presidencë aktoren e mirënjohur shqiptare, Eliza Dushku, së cilës i firmosi kërkesën e saj për t’u bërë shtetase shqiptare. “Ju jeni tashmë imazhi i mirë shqiptarëve që punoni për Shqipërinë. Janë pikërisht këto arsye që me t’u informuar për kërkesën e zonjës Dushku për marrjen e shtetësisë shqiptare, në përmbushje të një detyrimi institucional, por në radhë të parë të një frymëzimi personal, nënshkrova dekretin për dhënien e shtetësisë shqiptare Eliza Dushkut”, tha Presidenti Topi. Në vijim, Presidenti i Republikës i dorëzoi dekretin presidencial aktores së mirënjohur shqiptare të Hollivudit, e cila, nga ana e saj, shprehu falënderim dhe mirënjohje për pritjen nga Presidenti Topi dhe në mënyrë të veçantë nënvizoi kënaqësinë e saj për këtë nderimin nga ana e kryetarit të shtetit shqiptar. Gjatë bisedës së zhvilluar në një atmosferë miqësore, Presidenti Topi vlerësoi lart veprimtarinë artistike të Eliza Dushkut si një ndër aktoret e reja të spikatura të kinematografisë botërore. Në këtë kontekst, kryetari i shtetit shqiptar vuri në dukje se vizita e zonjës Dushku në Shqipëri është pjesë e atij mesazhi pozitiv që flet për Shqipërinë dhe shqiptarët si një popull vital, me tradita të hershme e kulturë të lashtë, me dëshirën dhe përkushtimin për të ecur përpara me vendosmëri e dinjitet. Të pranishëm në takim ishin, gjithashtu, fotografi me famë botërore, Fadil Berisha dhe aktori Blerim Destani.











