Topi dhe Berisha ngushëllim Norvegjisë: Dënim akteve terroriste

Jul 23, 2011 | 14:49

 

TIRANË- Shqipëria i shpreh ngushëllimet popullit norvegjez pas tragjedisë së ndodhur me sulmet terroriste të së premtes. Presidenti I vendit dhe kreu I qeverisë kanë dënuar aktet terroriste dhe I janë drejtuar me mesazhe ngushllimi autoriteteve.

Topi

Topi i dërgoi mesazh ngushëllimi Mbretit të Norvegjisë, Harald V, në të cilin shprehen ngushëllimet për familjet e 87 viktimave dhe dhjetëra të plagosurve si dhe dënohen forcërisht aktet terroriste që ndodhën dje në Oslo dhe në ishullin e Utojas.

“Në këto momente të vështira dhe dhimbjeje për vendin dhe popullin Tuaj, më lejoni që në emër të popullit shqiptar t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave e të plagosurve! Këto ngjarje të rënda që tronditën jo vetëm qytetarët norvegjezë, por edhe mbarë opinionin botëror, na rikujtojnë për rrezikun konstant të terrorizmit ndërkombëtar dhe për sfidën e vazhdueshme, me të cilën ne së bashku, si aleatë në NATO përballemi vazhdimisht dhe mbi të cilën duhet të dalim patjetër fitimtarë në emër të një ardhmeje më të mirë e më të sigurtë për popujt dhe vendet tona”- thuhet në mesazhin e Topit.

Berisha

“Sulmet e sotme terroriste ndaj godinave qeveritare dhe kampusit të të rinjëve në Oslo të Norvegjisë, janë aktet më të fundit të barbarisë ndaj lirisë së kombit Norvegjez dhe vlerave të qytetërimit tonë”. Kështu i ka quajtur kreu I qeverisë ngjarjet më të fundit në Norvegji|.

Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këto akte të shëmtuara terroriste, Kryeministri Berisha shpreh mbështetjen, simpatinë dhe solidaritetin ndaj Qeverisë së Mbretërisë së Norvegjisë dhe kombit norvegjez, si dhe besimin e palëkundur se autorët dhe organizatorët e këtyre sulmeve të shëmtuara do të marrin përgjigjen e merituar.

© Panorama.al

Te lidhura