Topi dekreton Artan Zenelin për anëtar në Gjykatën e Lartë

Feb 2, 2012 | 12:08

TIRANE – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi dje emërimin e gjyqtarit Artan Zeneli si anëtar të Gjykatës së Lartë. Lajmi është bërë i ditur nga zyra e shtypit pranë Presidencës me anë të një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare. Sipas njoftimit, Presidenti Bamir Topi ka firmosur emërimin e z. Artan Zeneli anëtar të Gjykatës së Lartë. Dekreti është lëshuar në mbështetje të nenit 93 dhe 136, pika 1, të Kushtetutës së Shqipërisë, dhe sipas Presidencës, hyn në fuqi menjëherë. Kjo është hera e dytë që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, firmos emërimin e Artan Zenelit në Gjykatën e Lartë. Sërish emërimi duhet të kalojë në Parlament, si në rastin e parë.  Ndërsa një vit më vonë ai u emërua gjyqtar në kryeqytet. Gjyqtari Artan Zeneli aktualisht kryen detyrën e kryetarit të Gjykatës së Tiranës. Ai e mori këtë detyrë kohë pasi u dekretua po nga Presidenti i Republikës Bamir Topi si gjyqtar në kryeqytet. Më 12 qershor të vitit 2009, Presidenti i Republikës pati emëruar në Gjykatën e Tiranës juristin Artan Zeneli. Më pas ai kandidoi para KLD-së dhe u zgjodh kryetar i Gjykatës së Tiranës, post të cilin e mban edhe aktualisht. Artan Zeneli ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe më pas ka filluar punë në organet e drejtësisë. Ai është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Tiranës dhe pas disa vitesh në këtë gjykatë merr detyrën e zëvendëskryetarit të Gjykatës së kryeqytetit. Pas mbarimit të mandatit ka ushtruar profesionin e juristit si avokat për disa vite dhe më pas, në vitin 2009, është rikthyer në Gjyqësor pasi u emërua nga Presidenti si gjyqtar në Tiranë.

© Panorama.al

Te lidhura