
Presidenti i Republikës, Topi, mori dje kontakte direkte me drejtuesit e pushtetit vendor në Tropojë, Krumë, Kukës, Mirditë, Mat, Bulqizë, Shkodër, Malësi e Madhe, Pukë, Dibër, Korçë, Librazhd dhe Elbasan. Gjithashtu, ai kontaktoi edhe me drejtues të njësive vendore më në vështirësi, përfshirë kryetarët e komunave Lekbibaj, Shalë, Kelmend, Margegaj etj. Presidenti Topi pati biseda informuese edhe me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Drejtorin e Emergjencave Civile, si dhe drejtues të tjerë të lartë të përfshirë në përpjekjet për përballimin e kësaj situate. Kreu i shtetit apeloi çdo njësi dhe ent shtetëror, çdo parti politike dhe institucion, që tej dallimeve politike, të fokusohen në bashkëpunim e mirëkuptim në përballimin me sukses të kësaj situate emergjente. “Në një demokraci dhe shoqëri të lirë nuk ka asgjë më prioritare dhe më të rëndësishme sesa jeta e qytetarëve dhe siguria e tyre”, thuhet në njoftimin zyrtar të Presidencës.











