
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli ka akuzuar sot kreun e PS-së, Edi Rama se po sulmon me pa të drejtë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, vetëm për faktin se kanë dhënë një vendim që atij nuk i ka pëlqyer.
“Antiparlamentarët e opozitës kanë filluar sulme ndaj gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, duke i akuzuar këto gjyqtarë, duke akuzuar drejtësinë se ato kanë marrë miliona euro.
Në fakt të sulmosh pa rreshtur drejtësinë, shtetin, përmes shantazheve, shpifjeve e trillimeve është shumë e rëndë, kur kjo ndodh nga lidershipi i partisë opozitare”- tha Topalli ne foltoren e Parlamentit.
Sipas Topallit, Rama në mediat ndërkombëtare njihet si mister 20%, duke e akuzuar atë se prej vitesh ka funksionuar mbi bazën e kësaj doktrine.
Kryeparlamentarja tha se, e vërteta është që qytetarët e përzunë Ramën nga bashkia, e kanë refuzuar, nëpërmjet një prej proceseve më kompetitive dhe ku vullneti i shqiptarëve ishte shumë i qartë.
Mister 20%, vazhoi më tej Topalli, sulmon gjykatësit e Kolegjit sepse ato nuk mund tu përgjigjen, pasi ata flasin vetëm nëpërmjet ligjit.Topalli lajmëroi se javën e ardhshme do të jetë seanca e fundit parlamentare, ku ftoi deputetët e opozitës që të vijnë në Kuvend të kryejnë detyrën kushtetuese dhe t’i bashkohen reformave të maxhorancës.











