“Unë nuk besoj se zoti Topi do të jetë, sigurisht që unë s’do ta votoj, kjo është e sigurt”. Kështu u shpreh mbrëmë kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, në një intervistë në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” të gazetarit Ilir Babaramo në TV “News 24”.Ajo kritikoi kreun e shtetit lidhur me qëndrimin që ai mbajti pas letrës së tetë gjyqtarëve të Kolegjit lidhur për akuzat e ardhura nga Partia Socialiste. “Duhet të dënonte sulmet dhe shpifjet që lidershipi i Partisë Socialiste i bëri tetë gjykatësve. Në deklaratën që bëri, tha ‘distancohem’. E di çfarë më kujton, në kohën e Enverit, kur ndonjëri rrezikonte të hiqej nga partia, distancohej ai nga veprimtaria. Nuk distancohem, e dënoj me vendosmëri dhe vullnetin më të fortë sulmeve që iu bënë tetë anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor”, tha Topalli.
Aleanca Kuq e Zi thotë se nuk kanë votuar dy deputetë për ligjin për “Regjistrimin e popullsisë”. A është normale që në Parlament të votohet kështu?
Unë jam kryetare e Kuvendit dhe do të shoh nëse deputetët kanë munguar dhe nëse kanë munguar, do të zbatohet vendimi i Kuvendit në raste të tilla.
Që do të thotë?
Që do të thotë se nuk do të marrin rrogat. Aty kanë qenë 73 deputetë. Kjo është një çështje spekulimi. Ato tabelat që kanë publikuar është çështja e buxhetit. Kjo ka ndodhur edhe në Itali, Francë ose Gjermani. Kjo bëhet për sa kohë që nuk është çelur kuorumi. Atë ditë ka pasur 73 vota edhe po t’ia fal 2 vota, kam pasur 71 vota.
Shumë përfaqësues të PD-së kanë sulmuar Topin. Sot ka qenë mbledhja e KLD-së që u mblodh për Kolegjin Zgjedhor…
Shteti ligjor është për t’u mbrojtur, dhe jo për t’u sulmuar. Nëse një koleg sulmohet, është detyra e të parit të KLD-së dhe të parit të shtetit që të mbrojë Kushtetutën dhe shtetin ligjor. E kam ndjekur shkarazi debatin në KLD dhe i admirova ato dy zonja për kurajën për të thënë të vërtetën. Ato dy zonja ishin të vërteta. KLD nuk mund të përdoret për të bërë politikë. Aq më tepër kur e përdor politikën duke tentuar që të prekësh emocionet e shqiptarëve, kjo është disa herë më e rëndë. Të përdorësh nacionalizmin, je jashtë kohe. Disa thonë që në fakt nacionalizmi është streha e fundit e horrave dhe ndërkohë kështu është.
Çfarë duhet të bënte në rastin e Kolegjit Presidenti i Republikës?
Duhet të dënonte sulmet dhe shpifjet që lidershipi i Partisë Socialiste u bëri tetë gjykatësve. Në deklaratën që bëri, tha ‘distancohem’. E di çfarë më kujton? Në kohën e Enverit kur ndonjëri rrezikonte të hiqej nga partia, distancohej ai nga veprimtaria. Nuk distancohem, i dënoj me vendosmëri dhe vullnetin më të fortë sulmet që u bënë tetë anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor.
A mendoni se do të hyni në konflikt me Bashkinë e Tiranës, sepse zoti Basha ka deklaruar gjatë fushatës se është kundër prishjes së Piramidës?
Unë nuk e kam dëgjuar këtë, por kam një vendim të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.
Nuk e keni ndjekur fushatën e kandidatit më kryesor të PD?
E kam ndjekur për çështje themelore dhe filozofinë me të cilën do të ndryshojë Tiranën, për ta bërë Tiranën një qytet jo si ky që është sot.
Lejen do ta merrni në Bashki?
Ashtu siç ishte në vendimin e vitit 2005, kur është votuar nga socialistët dhe demokratët bashkë, kur kryetar ishte zoti Pëllumbi, leja do të merret në KRRTRSH.
Ju mendoni se do të jeni kryetare e shtetit në vitin 2012?
Unë jam kryetare e Kuvendit të Shqipërisë dhe jam në detyrën dhe përgjegjësinë time dhe për këtë ndihem shumë e privilegjuar. Jemi një vit përpara dhe as nuk e mendoj fare.
Nëse zoti Berisha ju propozon për Presidente?
Pas një viti, pyeteni zotin Berisha. Ai rol që unë kam sot, është që të ftoj opozitën vetëm pak minuta për të votuar ligjet që kërkojnë 3/5 e votave.
A mund të jetë zoti Topi sërish kandidat?
Bëjani pyetjen tjetërkujt. Unë nuk besoj se zoti Topi do të jetë, sigurisht që unë s’do ta votoj, kjo është e sigurt.
Për çfarë do të mblidhet Këshilli Kombëtar i PD të shtunën?
Këshilli Kombëtar do të mblidhet në përfundim të procesit zgjedhor. Do t’u shprehet falënderimi të gjitha strukturave të partisë për fitoren e arritur nga “Aleanca për qytetarin” me 140 mijë vota në 8 maj. Pastaj do të zgjidhet edhe kryesia e Partisë Demokratike.
Ka disa zëra që pas fitores në Bashkinë e Tiranës duke mundur shefin e opozitës, Basha është kristalizuar si numri dy i PD-së. Ju ndani të njëjtin opinion?
Unë jam shumë e kënaqur që Bashkia e Tiranës ka shansin për t’i dhënë qytetarëve të Tiranës një filozofi tjetër. Ka qenë e gjithë Partia Demokratike që ka punuar sepse Tirana e meriton. Basha ka privilegjin që të drejtojë Tiranën, ka një detyrë shumë të vështirë, ka një përgjegjësi shumë të madhe dhe unë jam e sigurt që ashtu siç e ka premtuar, nuk do të merret me politikë, por do të dëgjojë zërin e qytetarëve.
ARISTIR LUMEZI











