Topalli në Slloveni, mbështetje për në BE

May 9, 2012 | 12:18
Topalli dhe Virant

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë vizitës së saj në Slloveni, u prit dje në një takim të veçantë nga kryetari i Parlamentit të Sllovenisë, Gregor Virant. Gjatë takimit Topalli falënderoi homologun Virant për mbështetjen që Sllovenia në vite ka dhënë ndaj proceseve integruese të Shqipërisë, duke kërkuar mbështetjen për hapat e mëtejshëm të Shqipërisë drejt BE. Virant i rikonfirmoi kryetares së Kuvendit mbështetjen e palëkundur të Sllovenisë për integrimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke shprehur optimizmin e tij për marrjen e statusit kandidat brenda këtij viti. “Ne gjithmonë e kemi mbështetur dhe do të vazhdojmë ta mbështesim fort Shqipërinë në perspektivën e saj europiane. Shpresojmë se Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat sa më shpejt të jetë e mundur. Urojmë më të mirën për procesin e reformave në vend dhe jemi absolutisht të sigurt se perspektiva e Shqipërisë do të jetë në Bashkimin Europian”, u shpreh Virant.

© Panorama.al

Te lidhura