
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ka vizituar dje Libanin me ftesë të homologut të saj Nabih Berri, në vizitën e parë të këtij niveli të lartë politik në 20 vitet e fundit, me qëllimin parësor për të lobuar për pavarësinë e Kosovës. Zonja Topalli u takua me Presidentin e Libanit, Michel Sleiman, në pallatin presidencial. Kryetarja e Kuvendit theksoi se “Rajoni ballkanik ka vuajtur shumë nga luftërat dhe gjenocidet, por që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, ky rajon reflekton paqe e stabilitet”. Kryetarja e Kuvendit kërkoi që Libani të shohë mundësinë e njohjes së Kosovës, duke e konsideruar këtë një kontribut shumë të rëndësishëm. Në axhendën e saj janë parashikuar edhe takime me krerët më të lartë të vendit dhe me shoqatat e industrialistëve, investitorëve, me shoqatat e turizmit e mjekësisë. Kryetarja e Kuvendit shprehu besimin se kjo vizitë do të jetë një nxitje për rritjen e nivelit të marrëdhënieve dhe shkëmbimit të vizitave në nivel politik dhe parlamentar. Gjatë takimit me shoqatat e industrialistëve dhe investitorëve libanezë, kryesuar nga Presidenti Nehme Frem, kryetarja e Kuvendit foli për domosdoshmërinë e marrëdhënieve më të ngushta ekonomike me Libanin.











