
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, zhvilloi një vizitë zyrtare në Indonezi, me ftesë të homologut të saj, Marzuki Alie, me të cilin njihet prej vitesh. Kjo është vizita e parë e një politikani të lartë nga Shqipëria në vendin mysliman. Kryeparlamentarja shfrytëzoi vizitën e saj në Indonezi për t’u takuar me kryetarin e Parlamentit të Arabisë Saudite, i cili pak kohë më parë bëri një vizitë në Shqipëri, si dhe me kryetarin e Parlamentit të Emirateve të Bashkuara Arabe. Ajo zhvilloi një takim me kryetaren e Parlamentit te Pakistanit, një mike e kahershme e saj. Takime të veçanta Topalli bëri dhe me kryetarin e Asamblesë së Turqisë, z. Xhemil Çiçek, i cili i tha zonjës Jozefina Topalli se e pret atë si një mike e Turqisë. “Në Asamblenë e PUIC, kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, iu dha fjala së parës. Në fjalën e saj ajo promovoi mundësitë dhe resurset e Shqipërisë si një vend i bukur dhe me pozicion të veçantë gjeografik, jo vetëm për t’u vizituar nga turistë nga vendet me ‘emerging economy’, por gjithashtu edhe si vend që ofron mundësi për investime nga këto vende në fusha të ndryshme me interes reciprok. Fokusi kryesor i fjalës së saj në këtë asamble ishte kërkesa ndaj atyre vendeve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës për ta bërë një gjë të tillë. Në Asamble mori pjesë edhe Presidenti i Indonezisë, Susilo Bambang Hudhoyono”, thuhet në njoftimin për shtyp të Parlamentit. Në pritjen e shtruar me këtë rast, Marzuk Ali e nderoi me një çmim të veçantë kryetaren Jozefina Topalli.











